Ish-ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, i ftuar në programin “Intervistë”, foli shkurtimisht edhe për situatën në Partinë Demokratike, që e cilëson ende si pjesë e tijën, edhe pse ai është i larguar tashmë nga çdo funksion politik.
“Do të flas shumë pak për këtë çështje. Unë nuk jam larguar kurrë, por situata është toksike, nuk dua t’i hedh benzinë zjarrit. Komunikoj me shumë nga deputetet, rri me ta, përfshirë dhe me zotin Basha, por edhe me Doktorin, është familja ime politike”, rrëfen Halimi.
Për të Partia Demokratike po kalon një moment që cilëson si dramatik. “PD është pjesë e një familje të madhe europiane si Partia Popullore Europiane, ku partitë simotra kanë kaluar procese edhe më dramatike dhe janë ringritur, këtë i thashë edhe zotit Basha. Largimi nuk është tabu, por duhen gjetur mekanizmat për t’u ringritur”.
Sipas tij, “bashkimi ndodh duke parë me sy realitetin që ndodh. Do t’i thoja të gjithë anëtarëve që të shikojnë realitetin me sy dhe t’i flasin anëtarëve të thjeshtë demokratë, duke i parë në sy, mos të jetojmë në realitete imagjinare ”.
Një politikan që unë nuk është se admiroj sepse është kontrovers, ish-kryeministri italian Giulio Andreotti thoshte që “njerëzit shkojnë në kishë të dielën për të folur me Zotin, kurse unë flas me priftin, sepse prifti voton, Zoti jo”.
Duke mos hyrë në çështjet ligjore brenda Partisë, Halimi thotë se nuk e mendon rikthimin në politikë, madje zbulon një ofertë të vitit të kaluar, të cilësuar si gati të parefuzueshme.
“Basha më bëri një vit e gjysmë më parë, deri para fillimit të zgjedhjeve, një kërkesë të fortë, më të mirën që mund t’i bëhet një bashkëpunëtori, gati e pakontestueshme, drejtues në grupin parlamentar dhe drejtues në funksione politike, por gjatë një darke të gjatë i thashë atij që e kam të pamundur të jem një person i angazhuar politikisht, dhe pjesë e grupit parlamentar në 2021, për disa kontrata që kam firmosur që ma ndalojnë ekspozimin politik”./m.j