Francezët mbështetën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale dukshëm ekstremet politike, shkruan Auron Dodi. Në balotazh, vota për Macronin përballë Le Penit kthehet sërish në votë kyçe për stabilitetin e BE.
Sipas sondazheve në Francë, Emmanuel Macroni shkon në balotazhin e së dielës (24.04.) përballë Marine Le Penit me një përparësi të rehatshme: prej 13 për qind. Macroni prin me 56% të votave. Por vitet e fundit kemi pasur disa rezultate të papritura votimesh, si p.sh. në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Në Francë ka ende shumë zgjedhës të pavendosur. Raundi i parë i votimit në Francë, përfundoi me vetëm katër për qind dallim mes Macronit (27,6 %) dhe Le Penit (23,4 %).
Këto rrethana dhe pesha e Francës në BE i shtynë tri kryeministra të majtë të Evropës për një hap të pazakontë: me një deklaratë të botuar në disa gazeta evropiane Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, Pedro Sanchez, kryeministri i Spanjës dhe António Costa, kryeministri i Portugalisë bënë thirrje publike për të votuar për Macronin.
Në thirrjen e tyre, tre kryeministrat shkruajnë se vota e së dielës është “kritike për Francën dhe…për secilin prej nesh në Evropë”.
Votimin e së dielës, ata e quajnë “zgjedhje mes një kandidati demokrat, që beson se forca e Francës rritet në një Bashkim Evropian të fuqishëm dhe autonom dhe një kandidati të ekstremit të djathtë, që mban haptazi anën e atyre që sulmojnë lirinë dhe demokracinë tonë”.
Scholz, Sanchez dhe Costa shkruajnë më tej “populistët dhe e djathta ekstreme e shikojnë Putinin si model ideologjik dhe politik, duke u bërë jehonë ideve shoviniste të tij”.
Evropa e Le Penit dhe pasojat
Nëse zgjedhjet të dielën do t’i fitonte Marine Le Pen, pritet që ajo të ndjekë një politikë të izolimit të Francës në BE. Le Pen kërkon që ligjet franceze të kenë prioritet ndaj atyre të BE, në të gjitha rrethanat.
Ajo është skeptike ndaj të huajve.
Sipas saj, vetëm ata që janë qytetarë francezë duhet të kenë prioritete të padiskutueshme: p.sh. në aplikimet për vende pune, në përfitimet sociale. Por ky qëndrim bie ndesh me njërin nga parimet bazë të BE: me lëvizjen e lirë të qytetarëve në BE. Ky qëndrim bie ndesh edhe me funksionimin e tregut të brendshëm.
Le Pen është për “Evropën e atdheve”. Franca, e para! Marrëveshjet ndërkombëtare mbështetësit e këtij modeli i shohin me mosbesim, në njëfarë mënyre si komplote konspirative ndaj atdheut.
Kujtojmë në këtë kuadër qëndrimin e Donald Trumpit ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Evropa e atdheve” është një Evropë në të cilën, çdo vend që ka vullnetin të marrë pjesë, mund të marrë pjesë. Pra pjesëmarrja në Evropën e bashkuar kthehet jo në çështje vlerash dhe institucionesh, por marrëveshjesh mes pushtetarëve. Kjo është një Evropë e ndryshme nga ajo që kemi ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo duhet penguar, tha së fundi në mediet gjermane ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.
Pavarësisht nëse fjala “atdhe” tingëllon si mbrojtje për qytetarin në botën e sotme të trazuar, ky koncept nuk i përgjigjet tendencës së zhvillimit të Evropës në dekadat e fundit. Evropa e sotme është e ndërthurur dhe përpjekjet për kufij dhe izolim të një shteti sjellin pashmangshëm konflikte.
Me Marine Le Penin, bashkëpunimi gjermano-francez do të pësonte kolaps. Në debatin e vetëm televiziv me Macronin të mërkurën (20.04.) Le Peni deklaroi se Gjermania arrin ta zbatojë hap pas hapi vullnetin e saj në BE, kurse Franca, sipas saj, jo.
Në mendje të vjen përgëzimi që i bëri Donald Trump, Boris Johnsonit në takimin e tyre të parë për Brexitin: sipas tij, Brexiti do ta shpëtonte Britaninë e Madhe nga hegjemonia gjermane në Evropë.
Evropa e Macronit dhe perspektiva
Edhe Emmanuel Macroni është patriot francez. Por ai mendon se bashkëpunimi ndërkombëtar e siguron më mirë paqen dhe mirëqenien e Francës.
Me këtë qëndrim ai radhitet pranë të gjithë atyre që mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar në botë.
Macroni është mbrojtës i Bashkimit Evropian dhe dëshiron që ta zhvillojë Bashkimin Evropian sipas përfytyrimeve franceze.
Në debatin televiziv të mërkurën (20.04.) me Le Penin, Macroni kujtoi përfitimet e Francës nga anëtarësimi në BE.
Ai kujtoi p.sh., faktin që Franca nuk kishte prodhuar vetë vaksinë kundër Covidit dhe e kishte marrë atë nga solidariteti i BE.
Ai kujtoi se pasojat ekonomike të pandemisë në Francë u zbutën me fondin miliardësh të rindërtimit nga Covid të BE.
Macroni është i bindur se Evropa është përgjigjja më e mirë edhe për sfidat e digjitalizimit dhe të klimës.
Ai është për vazhdimin e bashkëpunimit me Gjermaninë. “Unë besoj te Evropa, besoj te çifti gjermano-francez”, tha Macroni.
Në debat ai tha se partneritetin që kishte krijuar me kancelaren Angela Merkel “e vazhdon tani me kancelarin federal Olaf Scholz”.
Votimin e së dielës, Emmanuel Macroni e quajti referendum për Evropën dhe për lidhjen midis Francës dhe Gjermanisë.
BE pas presidencës së Emmanuel Macronit
Me energjinë dhe entuziazmin e tij, Emmanuel Macroni ndezi debate në Evropë. Në të njëjtën kohë ai u shqua për këmbëngulje të qëndrueshme për bashkëpunimin me Gjermaninë. Kjo i solli përfitime Francës, Spanjës, Italisë, së fundi me mbështetjen gjermane për borxhe të përbashkëta për fondin e rindërtimit nga Covid, të BE.
Por nga ana tjetër, shumë vëzhgues në Bruksel dhe në Gjermani mendojnë se Macroni prezantohet si vizioner i Evropës, ndërsa prapa perdeve ndjek pa lëkundje interesat e tij dhe të Francës.
Kujtojmë frenimin që i ka bërë ai zgjerimit të BE dhe afrimit me shtete të Ballkanit Perëndimor. Në Evropë mendojnë se këtë ai e bën kryesisht nga frika e kundërshtimeve në Francë.
Macroni kërkon me forcë sovranitet evropian. Por shtrohet pyetja a kupton ai me këtë në radhë të parë pozicione përfitimi për industrinë franceze. Në mosmarrëveshjen për avionët e përbashkët luftarakë evropianë me Gjermaninë, Franca ia bllokoi Gjermanisë qasjen në teknologji. Sulmet që Macroni bëri më herët kundër Natos, të cilën e quajti në vdekje cerebrale, mendohet se synonin edhe një pozicion drejtues ushtarak të Francës në Evropë.
Franca pas presidencës (së parë) të Macronit
Bilanci ekonomik e menaxherial i Macronit si president do ta justifikonte një mandat të dytë të francezëve për të: pandeminë e Covid-it, prej valës së dytë, ai e menaxhoi mirë; ai i mbështeti bizneset dhe familjet me subvencione.
Ekonomia franceze është në gjendje relativisht të mirë, deri në dhjetor 2021 patëm një rritje prej 6,7 për qind; papunësia është në nivelin më të ulët në 13 vitet e fundit: në shkurt papunësia ishte 7,4 për qind.
Por shtrenjtimi i jetës dhe inflacioni është problem kryesor edhe për francezët.
Në dallim nga këto fakte, shoqëria franceze të ofron pas pesë vjetësh president Macron një pamje të trazuar: zhgënjimi dhe revolta janë të përhapura gjerësisht në shoqëri.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, më shumë se gjysma e elektoratit francez votoi për ekstremet: për ekstremin e djathtë si Le Penin dhe Éric Zemmourin dhe ekstremin e majtë, si Jean-Luc Mélenchonin.
Mbi 32 për qind e francezëve duan madje një president të ekstremit të djathtë, po të mbledhësh votat e Le Penit, të Zemmourit dhe të Nicolas Dupont-Aignan-it.
Edhe tani, para raundit të dytë, mbi 43 për qind e francezëve janë të gatshëm të votojnë për ultra të djathtën dhe ksenofoben Le Pen.
I dukshëm është këtu dallimi me stabilitetin që ofroi Gjermania me zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2021: votuesit në Gjermani i ndëshkuan ekstremet politike.
Le Peni është shndërruar në “mainstream” në Francë, ajo nuk është më gogol për francezët.
Nëse ekstremet marrin të njëjtën mbështetje të fortë në zgjedhjet parlamentare në mes të qershorit në Francë, një presidencë e dytë e Macronit do të përballet me probleme të reja.
Të moderuarit, e majta dhe e djathta e moderuar, Partia Socialiste e qendrës së majtë dhe Republikanët, janë reduktuar në parti me rëndësi vetëm lokale. Në Francë kemi një zhvendosje të fortë djathtas të elektoratit.
Vetë Macroni e nisi si president i qendrës dhe përfundoi si president i qendrës së djathtë.
Ai përvetësoi kërkesat e konservatorëve duke hequr taksën për më të pasurit, mbështeti ashpërsimin e ligjit për azilin në Francë, u tërhoq nga reforma e pensioneve vetëm nga protestat masive popullore dhe Covid-i.
Po të kujtojmë që Franca është ekonomia e dytë e BE dhe fuqia e vetme bërthamore e BE, të gjitha këto rrethana nuk janë frymëzuese.
Magjinë e mandatit të parë Emmanuel Macroni nuk e ka më. Megjithatë, ai mbetet aktualisht shpresa e vetme për Francën dhe në këtë kuadër për BE. Kështu që suksesi i tij të dielën është shumë i dëshiruar në Evropë. /DW/