3 persona janë shoqëruar nga Policia e Tiranës pasi kanë realizuar një grafit ironizues në përkujtim të 21-janarit.
Në grafitin e pikturuar në murin e një godine në rrugën “Myslym Shyri”, shfaqen karikaturat e kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Meta dhe ish-kryeministrit Berisha që mbajnë kallashnikov në duar.
Në të shkruhet “21 janar ka përditë”.
Mësohet se janë shoqëruarit të rinjtë Klodi Leka, Stavro Çina dhe Albina Ruko.
Zyrtarisht policia sqaron se këta persona nuk janë arrestuar, por u njoftua bashkia e cila ka ndërmarrë ndëshkime administrative.
Ja çfarë shkruan mikja e të shoqëruarve Bora Mema në profilin e saj në Facebook:
Aktivistët Klodi Leka, Stavro Çina, Isa Myzyraj dhe Albina Ruko janë arrestuar në rrugën Myslym Shyri gjatë aksionit së Organizatës Politike për 21 Janar dhe po mbahen në komisariatin 3 në rrugën Mine Peza pa asnjë shpjegim ligjor. Aksioni konsistonte në pikturimin e një grafiti të fytyrave të urryera Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama me automatikë në dorë. 21 Janari nuk është vetëm data kur vrau Sali Berisha për hajdutërinë e Ilir Metës dhe burracakërinë e Edi Ramës. Më gjerësisht, ajo data e të gjithë të varfërve që vriten dhe gjymtohen nga politikat e agresionit klasor kundër të pamundurve. 21 Janar ka kur një kryefamiljar vret veten se qeveria e Edi Ramës i pret dritat, kur një burrë a grua e zë korrenti teksa mundohet t’u sjellë fëmijëve dritën e hequr nga OSHEE se nuk ka me se ta paguajë energjinë, kur një shitës rruge zhytet në depresion se polici bashkiak e zë me shkelma, kur një student bie pre e depresionit dhe kriminalizohet se qeveria rrit tarifat universitare. Prandaj parulla, për të cilën aktivistët u arrestuan si në diktaturë se shprehën publikisht kontestimin e tyre, ishte: 21 Janar ka përditë!