Avokati shqiptar Aineo Redo u gjet i vdekur ditën e djeshme në Itali me fytin e prerë.
Familja dhe miqtë e 49-vjeçarit kanë mbetur të shkuar nga ngjarja, ndërsa tregojnë se ai ishte i ndershëm, dhe se të gjithë kilientët e tij e donin.
Kolegu dhe miku i tij italian, Mario Di Frenna shprehet i shokuar ndërsa tregon kur e ka takuar për herë të fundit. Ai thekson se Redo ka ndihmuar shumë shqiptarë në Itali.
“E kam parë Aineon për herë të fundit mbrëmë (të mërkurën) kur bëmë një lojë futbolli. U përshëndetëm rreth orës 23:30. Ai më tha shihemi në zyrë. Por të nesërmen, kur mbërrita, nuk ishte aty. Pastaj më telefonuan karabinierët. Aineon e donim të gjithë, vlerësohej nga klientët dhe komuniteti shqiptar, të cilin ai e ndihmoi shumë. Ai ishte avokat i zgjuar, i ndershëm, i dashur dhe gazmor. Ai nisi çdo gjë nga e para këtu pasi erdhi nga Shqipëria. Ndërtoi me sakrifica një rrugë të shkëlqyer në karrierë”- tha ai.
Në vitin 1996, avokati Redo, me origjinë nga Bulqiza, hipi në një gomone me rreth 30 bashkatdhetarë të tjerë dhe zbarkoi në Pulia.
“Me vete kishte vetëm pasaportën dhe rrobat”, tregon Di Frenna.
Në Itali e priti xhaxhai i tij dhe arriti të siguronte një leje qëndrimi pasi më parë kishte gjetur vend pune si bukëpjekës. Më pas gjeti punë në një fabrikë, ku bënte turnin e natës ndërsa u regjistrua në Fakultetin Juridik në Parma, ku u diplomua në vitin 2004.
Më pas u specializua për tu marrë me çështjen e emigracionit duke ndërthurur ndjeshmërinë personale që vinte nga historia e tij si emigrant nga Shqipëria dhe njohuritë që kishte marrë nga shkolla në Itali. Më pas ia doli që të hapte një zyrë ligjore në vitin 2007 së bashku me Di Frennan dhe Franco Berettin.
Redo u gjet i vdekur, me fytin e prerë nga një kalimtar i rastit në Reggio Emilia. Policia po heton pistën e vetëvrasjes, por dhe ata të vrasjes duke ngritur dyshime se autori ka vendosur thikën në dorën e tij për të mbuluar gjurmët. Çështja është nën hetim.
/a.r