Policia e Shtetit informon se 10 grupe të FNSH-së nga Tirana kanë ushtruar kontrolle me dronë dhe mjete të tjera, për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Krujës.
Pas kontrolleve në 250 sera, dhe dhjetra banesa të braktisura, janë zbuluar 400 fidanë me kanabis.
Burime policore informojnë se për të kontrolluar territorin po përdoren dronë, kamera dhe mjete të tjera që iu shërbejnë punonjësve të Policisë, për të kontrolluar sa më mirë territorin.
Gjithashtu, në zonat me risk, në kontrolle janë përfshirë edhe forcat operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në këtë kuadër, prej 72 orësh ka nisur kontrolli masiv i territorit të rrethit Krujë.
Gjatë 3 ditëve të fundit janë kontrolluar 250 sera, 56 shtëpi të braktisura, tunele, territor i pyllëzuar, sipërfaqe publike dhe shtetërore.
Gjatë kontrolleve në fshatin Fushë Thumanë, Njësia Administrative Thumanë, në territor publik janë gjetur në një serë, 400 kubikë të kultivuar me fidanë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit, ndërsa një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të këtij rasti.
Kontrolli masiv i territorit në rrethin e Krujës është duke vijuar, me grupe të shumta të FNSH-së dhe të Policisë së Krujës, dhe do të shtrihet në të gjithë zonat me risk, por jo vetëm.
g.kosovari