Nga ARTUR AJAZI
Shqiptarët duket se e përballuan jo pa kosto, tërmetin shkatërrimtar, ndër më të fuqishmit në 100 vitet e fundit. Po ashtu, edhe pandeminë, e cila shënoi mijëra viktima dhe la pasoja për shumë të tjerë edhe tek ne. Ishin dy prej krizave që Edi Rama u përball duke ecur në këmbë, dhe jo duke u kacavjerrë, siç prisnin disa. Mendoj se për këtë kryeministri duhet të ketë respekt dhe mirënjohje. Kur Shqipëria nisi procesin e izolimit nga pandemia dhe vaksinimit, Hungaria, Polonia, Serbia, Bullgaria, etj, etj, dhe shumë vende të tjera europiane dhe më gjërë, nuk kishin lidhur akoma kontrata me kompanitë prodhuese të tyre. Ashtu si tërmeti dhe pandemia, ishin dhe mbeten edhe sot, ankthi dhe stresi i shumicës së shqiptarëve.Ato erdhën njëra pas tjetrës, erdhën ndoshta për të vënë në “sprovë” qeverinë e Edi Ramës, dhe nuk e gjeti as në “gjumë” dhe as të papërgatitur. Mbaj mënd se, Rama nisej çdo javë në shtete mike, kërkonte para për tërmetin, por dhe vaksina për pandeminë. Dhe arriti të mbledhë bashkë liderët e Europës, siguroi paratë e rindërtimit, arriti të nisë ndër të parët masivisht edhe procesin e vaksinimit. Qeveria vendosi të kompesojë financiarisht, edhe mjekimin e çdo të prekuri nga virusi. Ato kriza, treguan në fakt jo vetëm aftësinë e Edi Ramës, por edhe shpirtin e madh të atyre që duan jetën, duan njeriun, duan që sakrifica, të shërbejë për të ecur përpara duke mposhtur hijet e së keqes. Edi Rama, (nuk) ishte i vetëm në betejat e tij, ashtu siç ka qenë dhe mbetet gjithmonë i tillë në “luftën” me çdo taksirat, që i zë rrugëtimin drejt progresit të vendit. Krizat e fundit që kaloi Shqipëria, vunë në sprovë edhe deputetët,ata që mandatohen si “përfaqësonjës të popullit”, dhe që paguhen sa paga e 2 viteve të një pensionisti çdo muaj. Ata fshihen pas Edi Ramës kur u vjen rradha të dalin mes betejave të tilla, citojnë madje fjalimet e tij. Krizat për një qeveri të përgjegjshme, janë beteja politike dhe duhen përballuar. Ata që nuk ndryshojnë kurrë asgjë, dhe nuk dallojnë kurrë (veç ndonjërit) për asgjë brënda shumicës dhe pakicës në sallën e Parlamentit, janë pikërisht deputetët tanë. Janë 140 të tillë, që nuk e dinë as vetë pse mbushin sallën e Parlamentit, por thjesht vijnë çdo të enjte, dikush flet dhe dikush asnjëherë gjatë 4 viteve, bëjnë sikur diskutojnë, votojnë me komandë, dhe mbushin xhepat me plot 2 milion lekë çdo muaj. Askush nga ata, nuk e përballoi tërmetin si qytetarët e thjeshtë. Asnjë prej tyre nuk e përballoi pandeminë dhe infektimin nga COVID-19, si qytetari i thjeshtë. Asnjë prej tyre nuk liroi banesën e tretë apo të katërt që ka bosh, për ndonjë familje që po jeton akoma në kioska metalike, pasi nuk i është ndërtuar pallati ku banonte. Asnjë prej tyre nuk doli të deklaronte “dhuroj pagën e 2 muajve për “X” familje në nevojë”. E pra, unë njoh deputetë dhe deputete sot nga dy kahet politike, që “notojnë” në miliona, që kanë nga 3-4 banesa, vila, biznese, makina, shoferë dhe shërbëtorë, dhe bëjnë jetë sheikësh, dhe që shpesh shfaqen si hipokritë para Edi Ramës. Ata që janë të tillë, të paktën nga shumica, nuk janë me Edi Ramën. Ndaj dhe ai, i lë të vetëm në fatin e tyre, kur në derë u troket SPAK-u. Seicili të mbajë përgjegjësi personale, të përgjigjet para ligjit kur pasurohet me forma të paligjshme, jo duke u mbrojtur me simbolet e partisë, por me avokatin e tij. Edi Rama, e ka nisur këtë betejë dhe nuk ndalet, dhe do ta fitojë, siç mposhti krizat, do të mposhtë edhe çdo “gishtëngjyer” tek paratë e shtetit, pavarsisht mandatit, që guxon të pasurohet si kusar edhe brënda atij Parlamenti. Ndaj, ajo ç’ka diskutohej më shumë nga shqiptarët e thjeshtë gjatë tërmetit dhe pandemisë, çuditërisht ishte paga e deputetit….