Lëndë narkotike dhe shfrytëzim e ushtrim prostitucioni është akuza që rëndon mbi 13 persona të arrestuar, midis tyre tri femra e dy shtetas turq. Operacioni i koduar me emrin “Eskort” ka bërë të mundur goditjen e grupit që organizonte shërbimin eskort dhe prostitucion në Tiranë e Elbasan, shkruan sot Gazeta Shqiptare.
Burime pranë policisë së kryeqytetit bënë me dije, se gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit: Silvana Nexhipi, Ambra Isaku, Xheje Dunga, Franko Dervishi, Eglantin Kapo, Selcuk Kaya (shtetas turk), Mehmet Ozgunoglu (shtetas turk) si dhe shtetasit me iniciale E.Y. dhe E.B. Po të njëjtat burime pohuan, se të gjithë këta persona u prangosën pas një procedimi penal të nisur më herët nga ana e Policisë së Tiranës. Gjithashtu, mësohet se në pranga kanë përfunduar edhe shtetasit: Ervin Tanku, Hasan Kurmeta, Jonid Jaçe dhe Kevis Abazaj.
Sipas burimeve të mësipërme, në operacionin që u finalizua mbrëmë, blutë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kg lëndë narkotike të dyshuar si kanabis sativa, 16 doza heroinë, 10 telefona celularë të markave të ndryshme si dhe 3 automjete. Materialet në ngarkim të personave të arrestuar iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pritet që gjykata të vendosë masën e sigurisë ndaj tyre.
BW