Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë nuk do të mbahen në Kosovë. Këtë zotim, në emër të Qeverisë së Kosovës, e ka dhënë Edita Tahiri, ministre për Dialog, raporton KTV. Ajo, në një deklaratë për KohaVisionin, nga Brukseli ka thënë se koha kur Serbia mbante zgjedhje në Kosovë ka kaluar. Tahiri, që po qëndron në Bruksel për bisedimet teknike, tregon se palët janë pajtuar që nga 15 marsi të nisë zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave. Me gjithë përgatitjet për takimin politik të paralajmëruar më 27 janar, ende nuk dihet nëse do të mbahet, transmeton Koha.net . Paralajmërimet e zyrtarëve të Serbisë se zgjedhjet mbahen edhe në Kosovë, Tahiri i ka quajtur propagandë e brendshme e tyre dhe se kjo nuk vjen në konsiderim. Serbia kishte hapur, nën logon e OSBE-së, 10 qendra votimi në Kosovë në 2014-ën, ku të drejtë vote kanë pasur 107 mijë e 958 serbë të Kosovës. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, javën e kaluar, ka paralajmëruar se së shpejti shteti i tij shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, që pritet të mbahen në prill.