Pas vizitës që i bëri Beogradit, Zëvendëskryeministri rus, Dimitrij Rogozin, mediat ruse kanë njoftuar se prodhuesi më i madh i automobilëve dhe kamionëve, “Avtovaz”, “Kamvaz” dhe “Gaz” do të bartin prodhimin e auto-komponentëve nga Turqia në Serbi. Siç thuhet, e gjithë kjo do të mund të t’i sillte firmave serbe 30 milionë dollarë fitime në vit.
E tëra filloi pas deklaratës së Zëvendëskryeministrit rus Rogozin, i cili para mediave tha se deri tani pjesët për prodhimin e linjës së kombibusëve “gazela” janë prodhuar në Turqi dhe që për shkak të situatës aktuale, Rusia dëshiron që këtë prodhim ta transferojë në Serbi, sepse e konsideron të aftë ekonominë serbe të realizojë këtë veprimtari, d.m.th. prodhimin e autopjesëve për automobilë dhe kamionë. Rogozin tha se së shpejti priten lëvizje në këtë drejtim, shkruan RTS, transmeton Gazeta Express.
Në dhjetor të vitit të kaluar, u debatua po ashtu se Rusia po e shqyrton embargon në importin e auto-pjesëve nga Turqia, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, pavarësisht se pala ruse ka ashpërsuar kontrollet doganore pas ngjarjeve në Siri, gjë që ka ngadalësuar në një masë transportin e mallrave.
“Avtovaz” është lider në industrinë e automjeteve në Rusi. Vetëm gjatë vitit 2014 ky gjigand ka prodhuar 28 milionë automjete, ndërsa prodhuesi më i madh i automjeteve transportuese “Kamvaz” ka prodhuar më shumë se 2 milionë kamionë, shkruan Radio Televizioni i Serbisë, transmeton Gazeta Express.
Përktheu: Morena Kokollari