Nga Xhevdet Shehu
Lajmëtari Gjergj Shytermeja është gjallëruesi i kafenesë sonë të famshme. Ai na sjell përditë lajmet më të fundit, që çuditërisht në shumicën e rasteve dalin të sakta. Kështu u shfaq edhe dje, me pamjen e Mister Binit, mbërriti deri tek tavolina jonë thuajse me vrap, duke iu marrë fryma.
“Nami, nami!, tha. Ky nuk është lajm, po bombë. Po ua mbajti botojeni.”
“Po hë, mo Gjergj. Nxirre, çfarë ka bërë vaki?” i thamë ne thuajse me një zë.
– Nëqoftëse Petrit Vasili ka refuzuar kandidaturën për president, më mirë mos na e thuaj!, – tha përfaqësuesi i LSI-së në tryezën tonë.
– Jo, nuk ka bërë vaki kjo, tha Gjergji. – Sondazhet e nxjerrin në krye Titin. Shumë më përpara Eleni Kocaqit dhe Sazan Gurit.
– Mos ka ndodhur ndonjë hata nga Sindikatat e Pavarura? – pyeti me padurim sindikalisti ynë i paepur.
– Jo, as kjo nuk ka ndodhur… Hotelet e tyre funksionojnë normalisht dhe shteti nuk i ngacmon, – u përgjigj me sinqeritet lajmëtari ynë.
– Mos janë hequr taksat e karburantit për fermerët? – tha specialisti i perimeve dhe shalqinjve.
– Jo, nuk bëhet fjalë… Krizë e madhe dhe rritje çmimesh po… – ia preu Gjergji.
– Pëshpëritet se Balli Kombëtar ka pësuar një disfatë të re të madhe. Kjo duhet të jetë apo jo?, – pyeti me pezmatim ish-komunisti i dikurshëm i konvertuar në nacionalist vitet e fundit.
– Ohu ku të ka ngelur sahati ty! Ballit i ka humbur vula qysh në vitin 44 dhe për të nuk ka as fitore dhe as disfata…
– Atëherë, janë takuar Biden me Putinin dhe i kanë dhënë fund luftës në Ukrainë? – hamendësoi eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare. – Se janë shumë të thella këto punë…
– Nuk është koha për takime të tilla. Është ende herët… Tjetër, tjetërkund është çështja. Nuk e gjeni dot?
– Po atëherë na e thuaj të shkretën se na plase shpirtin! – gati bërtita unë.
Gjergji me atë qetësinë e tij olimpike që e dallon në shumicën e rasteve, na vështroi ëmbël të gjithëve dhe triumfator zbrazi nga bardhaku lajmin e bujshëm:
– Mbrëmë në mesnatë është mbledhur Byroja e Non Gratave që do të zgjidhet me unanimitet në Kongresin e Madh të 30 Prillit! Mbledhjen e drejtoi vetë lideri historik. Kanë marrë vendime historike. Është krijuar Byroja Non Grata. Kjo ka ndodhur menjëherë pasi Alibeaj mblodhi më shumë firma se Saliu për platformën me pesë pika. Mbledhja ka zgjatur 2 orë e 35 minuta. Është regjistruar dhe tani në mëngjes është zbardhur. Ja teksti… Është tepër sekret tani për tani deri në datën 30 prill. Është këtu dhe fjalimi i Presidentit të nongratistëve të Shqipërisë, dora vetë Sali Berisha, the ai më zgjati disa fletë të kompjuterizuara.
Sipas rrëfimit të lajmëtarit Gjergj dhe sipas materialit të zbardhur, po e rindërtojmë gjithë këtë histori që meriton t’u bëhet e njohur gjithë opinionit shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.
…Ata u mblodhën në mesnatë, gati-gati në ilegalitet. Si dikur në kushte shtetrrethimi. Me nga një çantë në dorë, brenda të cilave mund të kishin bomba dhe kobure. Ose dhe kosore. Mbase dhe sfurqe. Mbledhja u bë në një kafe restorant afër ambasadës amerikane… Tani për tani adresa e saktë dhe emri i lokalit nuk do të tregohet për arsye të ndryshme që merren lehtësisht me mend, por do të bëhet i njohur dhe do të hyjë në histori pas 30 prillit.
I pari mbërriti Sali Berisha dhe menjëherë zuri vend në krye të tavolinës. Pas tij, erdhën Tritan Shehu, Edi Paloka, Flamur Noka, Evis Kokalari Angelakis, Bujar Nishani, Genc Pollo, Arben Ristani. Pak më vonë ia behën Aqif Rakipi e Ylli Ndroqi, të shpallur taze non grata.
– Lëreni pak derën hapur se duhet të vijnë dhe të tjerë, tha Doktori.
I rrëmbyer si gjithnjë e mori fjalën Tritan Shehu.
– Sot është një ditë historike… – filloi ligjëratën ai.
– Është natë, Tritan, – ia preu fjalën Flamur Noka.
– Po, ke të drejtë, po nga kjo natë do të vijë dita dhe drita e së nesërmes. Sot ne zgjedhim Byronë Non-Grata. Pa pasur nevojë ta hedhim në votim, mendoj se President i parazgjedhur dhe i parapëlqyer është Doktor Sali Berisha, që e paçim gjithmonë në krye të tryezave. Nëqoftëse ne të tjerët jemi shpallur shumë vonë non grata, apo jemi kandidatë për këtë vlerësim të lartë, ky është i vetmi që është shpallur non grata familjarisht. Ka katër persona non grata. Për shkak të meritave, natyrisht. Prandaj vendi i tij është i pazëvendësueshëm, pasi ne të tjerët kemi vetëm rolin mbështetës në këtë mision historik që po marrim përsipër të kryejmë për të mirën e demokracisë së këtij vendi që po vuan kaq shumë nga qeveria e narko-trafikut…
– Prit, prit, Tritan, se po m’i zbulon idetë para meje. Këto janë teza që do t’i diskutojmë së bashku në Byro, do t’i miratojmë dhe do t’i firmosim në Kongresin e madh të 30 prillit”, i tha lideri historik.
Dhe pa e zgjatur, filloi ligjëratën Shkëlqesia e Tij, Sali Berisha:
– Ne do të rithemelojmë partinë në 30 prill. Por në fund të fundit në do të jemi Partia e Idealeve të Dhjetorit. Në themel të saj do të jenë ato për të cilat ne ëndërronim në ato ditë të ftohta të dhjetorit 1990…
Fort të nderuem nongratista! Jo do të thoni pse e thashë këtë fjalë që na përket në radhë të parë neve që jemi mbledhur këtu dhe që do ta udhëheqim Shqipërinë në vitet e ardhme. Në fakt mue më pëlqen shumë ky term, ky neologjizëm, të cilin me kenë i sinqertë me ju, e kam të huazuem nga mendjendrituri gjuhëtar dhe studiues nga Shkupi, Avdulaqim Qeremeti. Zotni Qeremeti është në përfundim të një kryevepre në fushën e gjuhësisë Mbi gegnishten e standardizueme.
Qeremeti e ka shpjegue shumë qartë se nofka non grata që më ka vue mue sekretari Blinken, ka një kuptim tjetër, shumë domethënës, shumë pozitiv nga ai që kanë pasur si qëllim amerikanët e Xhorxh Sorosit. Sorosi dhe Blinkeni dhe bashkëpunëtorët e tij në Tiranë thonë se ne akuzohemi për korrupsion dhe jemi shpallur të padëshiruem nga Shtetet e Bashkuara. Në fakt, sipas studiuesit tonë të madh Qeremeti, Non grata, ka kuptimin non gratis, domethënë jo badihava. Po kjo është në zemrën e kapitalizmit botëror që ne e kemi përqafue me dëshirë që nga viti 1990. Ne, domethënë ne nongratistët e Shqipërisë, kemi punuar për konsolidimin e kapitalizmit dhe të demokracisë në këtë vend, por edhe duke u pasuruar vetë pak e nga pak. Bakshishe janë ato të shkreta që përfliten se kemi marrë si shpërblim për punët tona të vyera që i kemi bërë për këtë popull dhe për forcimin e kapitalizmit demokratik. Ne nuk u bëmë të pasur në një ditë. Për shembull, Tritani ka drejtuar firmën Shqiponja në fillimin e viteve 90. Ka bërë histori Tritani dhe Genci Pollua me atë firmë. Kanë tregue heroizëm të pashoq se thyen embargon e Kombeve të Bashkuara dhe furnizuan me naftë Serbinë e Millosheviçit që një ditë të çlirohej Kosova. Ja ku e kemi Kosovën të lirë! A nuk meritonin këta shpërblimin që u takonte nga gjithë ajo naftë që shkonte lumë drejt ish-Jugosllavisë? Nuk e di sa ishte përfitimi. Tritani dhe Genci mund të na thonë ndonjë gjë më shumë se si janë përdorur ato pare….
Ose të marrim Gërdecin. Fatmir Mediu u caktua si ministër i Mbrojtjes me një mison historik: demo0ntimin e armëve të diktaturës. Bakshishet ishin të mëdha, por mundimi edhe më i madh. Ndopdhi një incident, por edhe incidente do të kemi në rrugën tonë. A mund të ndëshkohet Mediu për këtë? Kurrë. Pavarësisht se mund të ndodhë, por ky do të ishte një turp…
Pika e dytë që dua të diskutoj me ju. Duhet me forcue radhët edhe me elementë jashtë partisë sonë. Edhe jashtë atdheut. Duhen vendosur lidhjet me Dodikun në Bosnjë-Hrecegovinë dhe me Gruevskin në Maqedoni. Partia jonë duhet të jetë e hapur.
E treta. Duhet të shtojmë radhët e opinionistëve që na mbështesin. Ne kemi plot nga ata që na mbështesin, por radhët e tyre duhet të shtohen dhe kanë filluar të shtohen. Por ata duhen paguar mirë, shumë mirë deshta me thanë. Kije parasysh këtë Tritan dhe ti Genci… Bakshishe, duhet të jepni sa më shumë bakshishe, vetëm kështu do ta marrim pushtetin..
– Kemi paguar opinionistët e përnatshëm nëpër ekrane dhe botimin e ca librave për arritjet e demokracisë nën udhëheqjen tuaj, Doktor, tha Tritani.
– Mirë keni bërë, tha Doktori dhe vazhdoi:
– Tani kemi përpara Kongresin e madh. Unë kam kandidue për kryetar…
– Të takon, të takon! – u hodhën njëzëri të pranishmit.
– Më takon se jam katër fish nongratist. Ju nga një herë jeni dhe po bëni namin. Disa janë kandidatë. Dera jonë është e hapur për të gjithë nongratistët. Partia jonë ka të ngjarë të shpallet e gjitha nongrata qysh të nesërmen në 1 maj. Ky asht moment historik. Do të jemi e para parti në botë që fitojmë këtë titull të madh dhe për këtë event do të flasë e gjithë bota… Edhe për Lulzim Bashën dera duhet të jetë e hapur. Edhe për Ilir Metën. Një ditë të gjithë do të vijnë tek ne… Jemi parti e madhe ne. Kemi punue për demokracinë, jemi pasurue dakord, por kemi pasurue edhe popullin. Ata që nuk duan t’i shikojnë të mirat që i kemi sjellë ne këtij vendi, janë armiq të demokracisë dhe duan të na kthejnë në kohën e viteve të errëta të diktaturës komuniste.
– Doktor! Po sikur të shtojmë si kandidatë për në Byro edhe dy emra: Shpëtim Idrizin dhe Vangjel Dulen? – pyeti me drojën e tij karakteristike Genc Pollua.
Pa asnjë dyshim. Ata shquhen për besnikëri dhe kanë tregue vlera në historinë e marrëdhënieve me ne, – tha prerë Doktori. Shtoni aty edhe Lefter Kokën, Alqi Bllakon si anëtarë korrespondentë. Albana Vokshi do të përfaqësojë gratë.
– Doktor na duhet një simbol për partinë – tha Edi Paloka.
– Atë e kemi gati – u hodh aty për aty Flamur Noka. Simbol i partisë sonë do të jetë leva dhe vareja, mjetet tona paqësore me të cilat do të hynim në Shtëpinë e Lirisë më 8 janar. Kështu do të përjetësojmë edhe atë datë historike që shënoi kthesën pozitive për partinë tonë.
– Dakord, tha lideri historik. Ato të vihen si simbol i shpirtit tonë të pamposhtur për liri dhe demokraci.
– Po për himnin si do t’ia bëjmë? – pyeti zonja Angelakis. – Shkrimtari dhe studiuesi Avdulaqim Qeremeti ka propozuar një…
– Çfarë ka propozuar, – pyeti me kureshtje të shtuar Doktori.
– Po ja sikur të vëmë atë këngën që tashmë thuajse është harruar:
Lart më lart, o shokë,
Flamujt e Kongresit,
Beteja, Fitore,
Përpara na presin!
– Përfekte. Këtë kisha mendue edhe unë. Më futët në kujtimet e së shkuarës me këtë këngë. Kur i shërbeja shokut Hysni Kapo, si mjek natyrisht, në orët e pushimit ua këndoja këtë këngë ambasadorit Nesho dhe analistit Bushatit. Ishin fëmijë atëherë. Kënaqeshin shumë dhe përplasnin duart: “O Sali, o Sali,/ S’ka si ti, s’ka si ti!”. Kjo u ka ngelur huq qysh atëherë dhe vazhdojnë të brohorasin për mua nga ekrani në ekran, bashkë me Çim Pekën…
***
Në ikje e sipër, lajmëtari Gjergj tha si rastësisht më të bukurën e asaj mbledhjeje.
Doktori si për të dhënë konkluzionet e mbledhjes shumë të rëndësishme, kishte recituar një poezi të Shefqet Peçit. Shoku Shefqet ka pas kenë largpamës, tha. E dinte shumë mirë se si do vinin punët. Unë pendohem që e futa në burg dhe ia shkurtova jetën… Po këtë vjershë e ka shkrue shumë bukur dhe është tepër aktuale për sot. Ndigjojeni, ndigjojeni:
Ç’kanë Fuqitë e Mëdha,
Që janë mbledhur kokë më kokë,
Hallin e kanë tek na,
Ndaj po zihen me sho-shoqnë!
E them këtë se kjo vjershë është tejet aktuale dhe mund të kuptohet po të kemi parasysh edhe konfliktin në Ukrainë. Ukraina është pretekst. Në fakt, thelbi i çështjes jemi ne shqiptarët. Ja, në kulmin e luftës në Ukrainë, SHBA shpallën nongratistë të rinj nga Shqipëria. Të jeni krenarë he burra. Për ju do të shkruajë historia…
Në Paris
U mblodh UNO-ja,
Fol Enver
për hallet tona
………….
Edhe njiherë, si përherë, shoku Sali Birisha, marksist leninist i shqyem, në frymezim prij shokut Enver Hoxha, i ka shpallë luftë imperializmit amerikan, që don me na heq pavarësinë, e sidomos me na kap drejtesinë e me na fut nburg tReçit, gjithë zinxhirin komandues tudhheqsisë tShqipnisë, qysh tash tridhet vjet qi rrzume diktaturn ma tegër të Evrops e tBots marë.