Qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupolit mund të bjerë në duart e forcave ruse deri më 9 maj, tha një zyrtar evropian, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Zyrtari evropian anonim, tha se Mariupol mund të vuajë më shumë se qyteti i Bucha, ku trupat ruse janë akuzuar për masakër ndaj civilëve të paarmatosur.
“Ne presim një shkatërrim të plotë të qytetit dhe shumë viktima civile në Mariupol”, ka thënë zyrtari evropian.
“Frika ime është se do të jetë më keq se Bucha. Dhe deri më 9 maj, Putini mund të deklarojë se ka çliruar qytetin e Mariupolit. Pra, mendoj se Mariupol do të bjerë në ditët në vijim.”
Autoritetet në Mariupol thonë se mijëra njerëz janë vrarë në qytet.
Në orët e fundit, Rusia u ka dhënë mbrojtësve të fundit ukrainas në një punishte çeliku një ultimatum që të dorëzohen ose të vdesin në vend.
/b.h