A u pastrua politika shqiptare nga ligji i dekriminalizimit? Nisma që u miratua në vitin 2015 dha efektet e saj në pushtetin vendor dhe legjislativ duke përjashtuar disa të zgjedhur, por kjo nuk i pengoi që nëpërmjet influencës së tyre, të çonin emra të tjerë që të përfaqësonin interesat e tyre në parlament. Rasti më i fundit i Aqif Rakipit që u bë pjesë e listës së zezë amerikane, vë edhe më shumë në pikëpyetje pastërtinë e politikës shqiptare.
Politika dhe krimi janë dy elemente që nuk duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Të paktën ky ishte qëllimi i ligjit të dekriminalizimit. Nisma ndëshkuese për personat me të shkuar kriminale dha efektet pozitive gjatë viteve 2016-2018 ku disa deputetë u përjashtuan nga parlamenti, si me lidhje kriminale. Emra si Armando Prenga, Mark Frroku, Arben Ndoka, Aqif Rakipi, Shkëlqim Selami, Gledion Rehovica apo Dashamir Tahiri, janë tashmë pjesë e analeve të historisë si deputetë të shkarkuar që kishin fshehur problemet me ligjin.
Por nga parlamenti me individë me të shkuar kriminale, Kuvendi i Shqipërisë ka në përbërje të tij persona në listën e zezë amerikane duke sfiduar misionin e ligjit të dekriminalizimit. Që prej 2017-s u bë i dukshëm fakti që personat e inkriminuar nuk po kandidonin vetë, por ata caktonin kandidatë për deputetë në listat e partive, duke u siguruar mbështetjen.
Ky nuk është rasti i ish-kryeministrit Berisha i shpallur non grata pas zgjedhjeve, duke vijuar aksionin politik si pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Në mënyrë indirekte, janë 5 parlamentarë të tjerë të lidhur me persona të listës së zezë amerikane.
Konkretisht janë tre deputetët e Partisë Socialdemokrate me kryetar Tom Doshin. Në zgjedhjet e 25 prillit ai nuk u tërhoq nga gara, por la mandatin sapo e fitoi atë. Ndërkohë asnjë nga ligjvënësit e kësaj partie nuk mundi të merrte as një mijë vota në emër të tyre për të treguar peshën në elektorat, përkundër asaj që e dëshmoi lideri i partisë, tashmë prej vitesh pjesë e listës së zezë amerikane.
“Babai im është super i pastër”, tha Ornaldo Rakipi.
Një situatë sa e ngjashme dhe e ndryshme është edhe brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Vendimi i një jave më parë i Departamentit Amerikan të Thesarit që futi në listën e zezë Aqif Rakipin ngriti pikëpyetje mbi integritetin e këtij grupi duke qenë se u akuzua për shitblerje votash dhe për 25 prill ai bëri fushatë për të birin, Ornaldo Rakipi dhe dhëndrin e familjes Saimir Hasalla, të dy tashmë deputetë në shtëpinë socialiste.
“Ne jemi pro amerikanë, babai im do ta apelojë vendimin”, tha Rakipi në sallën e parlamentit
Sipas kësaj llogarie, pesha e votave të këtyre individëve është ndjerë dukshëm te seanca e fundit parlamentare. Dy projektligjet që ishin për votim u miratuan me 71 vota e domosdoshme pro, nga të cilat pesë ishin të grupit që kanë lidhje me personat e listës së zezë amerikane, Tom Doshin dhe Aqif Rakipin.(A2)