Këto janë momentet e fundit të anijes luftarake të flotës ruse përpara se ajo të fundosej në Detin e Zi. Media britanike Daily Mail ka publikuar pamjet ku shihet anija ruse e përfshirë nga flakët dhe gati për t’u përmbysur.
Në video shfaqen dhe dy varka shpëtimi që shkojnë drejt anijes, ndërsa helikopterët hedhin ujë nga lart për të shuar flakët.
Sipas Daily Mail, ekspertët të cilët kanë ekzaminuar pamjet thonë se anija është dëmtuar nga një faktor i jashtëm, dhe jo nga një shpërthim i brendshëm.
Kjo vërteton pretendimet e Ukrainës e cila thotë se e ka goditur anijen me raketa, ndërsa Rusia pretendon se ka pasur një shpërthim brenda anijes nga municionet që ndodheshin në bord.
Gjithashtu, fotot dhe videot janë regjistruar në mëngjes, ku deti duket i qetë, ndërkohë Rusia pretendon se moti nuk ka qenë i mirë.
Analistët dhe ekspertët që ekzaminuan imazhet, sipas Daily Mail, thonë se janë autentike. Nuk ka gjasa që Rusia të konfirmojë autenticitetin e imazheve, mes një errësimi pothuajse të plotë të informacionit rreth fundosjes, i cili po shkakton siklet të madh për forcat e armatosura të Vladimir Putin.
/b.h