Mariupoli është një qytet strategjik gati për t’u pushtuar nga Rusia. Mijëra njerëz janë vrarë gjatë shpërthimeve në qytet, që nga fillimi i muajit mars kur trupat ruse rrethuan Mariupolin.
Por pse është Mariupol kaq i rëndësishëm për planet e Rusisë?
Korrespondenti i BBC-së, Frank Gardner, ka treguar arsyet:
Sigurimi i një korridori tokësor midis Krimesë dhe Donbasit
Gjeografikisht, Mariupol zë vetëm një vend të vogël në hartë. Por pushtimi i qytetit, do t’i lejojë Rusisë të ndërtojë një urë tokësore kalimi nga Rusia në Krime, një sukses i madh strategjik dhe ushtarak.
Dëmtimi i ekonomisë së Ukrainës
Mariupol ka portin më të madh në rajonin e Detit Azov si edhe ka një fabrike të madhe hekuri dhe çeliku.
Gjithashtu një qendër kryesore eksporti për çelikun, qymyrin dhe misrin e Ukrainës.
Pushtimi i Mariupol do të ishte një goditje e madhe për atë që ka mbetur nga ekonomia e Ukrainës.
Mundësi propagande
Mariupol është ‘shtëpia’ e një njësie të milicisë ukrainase të quajtur Brigada Azov, e cila përmban ekstremistë të ekstremit të djathtë, përfshirë neo-nazistë.
Megjithëse përbëjnë vetëm një pjesë të forcave ushtarake të Ukrainës, ky ka qenë një mjet i dobishëm propagande për Moskën.
Nëse Kremlini arrin të kapë të gjallë ushtarakë të Brigadës Azov, mund të përdorë mediat e kontrolluara nga shteti rus për të diskredituar qeverinë e Ukrainës.
Rritje e madhe morale
Presidenti Vladimir Putin e shikon vijën bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës si pjesë e diçkaje të quajtur Novorossiya (Rusia e Re), tokat ruse që datojnë nga perandoria e shekullit të 18-të.
Putin dëshiron të ringjallë këtë koncept, “duke i shpëtuar rusët nga tirania e një qeverie pro-perëndimore në Kiev”, ashtu siç e konsideron ai.
Mariupol po përdoret për arritjen e këtij qëllimi.
/a.r