Rritja e çmimit të naftës po jep efekt negativ si në sektorin e peshkimit ashtu dhe në industrinë e turizmit. Në Shëngjin peshkatarët nuk dalin në det, ndërsa bizneset po përballen me mungesë të produkteve. E gjitha kjo ka çuar në rritjen e çmimit të peshkut dhe prodhimeve të detit në restorante.
“Për shkak të çmimit të naftës dhe taksave mu desh me e mbyll licencën”, shprehet Adriatik Qaja.
“Ne jemi keq më keq se kudo në Shqipëri se njerëzit s’po dalin fare në det për shkak të çmimit të naftës”, tha peshkatari Tonin Zefi. “Unë kërkoj të ulet karburanti, se kemi ngelur pa punë”, shprehet peshkatari Iris Hasani.
Kriza është reflektuar tek restorantet e peshkut në zonën turistike të Shëngjinit si dhe në qytetin e Lezhës. Ato po hasin vështirësi për sigurimin e produkteve të detit, ndërsa çmimi është rritur ndjeshëm. Një kilogram levrek me shumicë, nga 800 ka shkuar në 1100 lek.
“Çmimi është rrit sepse një peshk është marr me 8 mijë lek/kg ka shkuar në 1100-12 mijë lek/kg. Hasim probleme se ne kemi marre rezervime me çmimet e vjetra, tani është rri dyfish, por nuk jemi tu siguri as produkt”, tha kuzhinieri Gjovalin Zeka.
“Një kg levrek nga 8500 lek sot e marrim me 1100 lek/kg”, tha Besnik Sula pronar i nje hoteli.
Sipas të dhënave nga Qendra Operacionale Detare numri i anijeve të peshkimit që dalin në det është përgjysmuar. Kështu krahasuar me një vit më parë kur punonin 141 peshkarexha, aktualisht kanë mbetur 72 të tilla. SHQIPTARJA.com