Nga Adriatik Doci
Amullia sot në PD është produkt i goditjes së Sali Berishës nga Uashingtoni vitin e kaluar.Nuk ka dyshim se vendimi i Departamentit Amerikan i Shtetit për të shpallur non grata Sali Berishën në 19 maj 2021, është kulmim i përplasjeve të hershme, sa publike aq edhe të nëndheshme mes Berishës dhe Amerikanes. Krisja e parë erdhi pas thyerjes nga Berisha të embargos së naftës ndaj Millosheviçit dhe flirtit me celulat ekstremiste iraniane. Krisja u thellua në zgjedhjet e 26 majit 1966, të cilat nuk u njohën nga Perëndimi, u përshkallëzua në ’97 si dhe pas grushtit të shtetit në 14 shtator 1998, ku Berisha mori një ultimatum nga Uashingtoni që të tërhiqej menjëherë.
Përplasjet vijuan pasi Berisha shpalli UÇK-së organizatë terroriste, për Gërdecin, shitjen e detit, 21 Janarin dhe vitet e fundit për shkak të betejës së Berishës kundër reformës në drejtësi.
Gjatë përplasjeve 30-vjeçare, Sali Berisha ka ndëshkuar edhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët bashkëpunuan me SHBA me dhe pa dijeninë e tij. Subjekt i hakmarrjes së Berishës ishte edhe Ilir Rusmali, ish ministër, ish zëvendëskryeministër dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Në vitin 2011, rrodhën në media mijëra dokumente të administratës amerikane, mes të cilave edhe kabllogramet që Ambasada Amerikane në Tiranë i dërgonte Departamentit Amerikan në Shtetit për zhvillimet në Shqipëri.
Nga përmbajtja e disa kabllogrameve u zbulua se Ilir Rusmali dhe Leonard Demi sinjalizonin Ambasadën Amerikane për plane dhe nisma të Berishës kundër demokracisë dhe në funksion të pushtetit të tij. Në një kabllogram të 18 dhjetorit 2018, raportohet në DASH për Ilir Rusmalin, i cili komentonte zhvillimet e tensionuara politike në Tiranës.
Në një tjetër kabllogram thuhej se Leonard Demi, në atë kohë deputet i PD-së dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë, ka informuar ambasadën amerikane në Tiranë, lidhur me skenarin e Berishës për kontrollin e Shërbimit Informativ Shtetëror, përmes ndryshimit të ligjit, duke parashikuar një pikë shkarkimin e kryetarit dhe emërimit të një ushtari të tij të besuar.
Si Rusmali, ashtu edhe Leonard Demi, u ndëshkuan nga Berisha. Ata u përjashtuan nga lista e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2013 dhe më pas nga strukturat e PD-së. Berisha ndëshkoi edhe dy miq të Rusmalit, deputetë të PD, Fatos Hoxhën dhe Viktor Gumin.
Për lidhje me amerikanët dhe si pjesë grupit që kundërshtoi ligjin për përgjimet, Berisha ndëshkoi edhe Enkelejd Alibajn në vitin 2013, i cili u rehabilitua nga Basha në 2017.
Pikërisht për shkak të afrimit me përfaqësues të SHBA-BE, Sali Berisha rrethoi ish presidentin Bamir Topi, ndërsa shkarkoi para kohe dhe la pa punë disa vite kryeprokuroren Ina Rama, të cilën më parë e kishte quajtur Silvia Konti. Kur Ina Rama doli të lexonte konkluzionet e hetimit të 21 Janarit, në krah kishte ish ambasadorin amerikan Alexandër Arvizu, pikërisht për shkak të presionit të madh të pushteti të Berishës.
Në 10 janar 2021 do të ishte Lulzim Basha objekt i një hakmarrje të egër dhe të paprecedentë të Sali Berishës, deri në dorëheqjen e Bashës si kryetar i PD-së në 21 mars 2022.
Hakmarrja erdhi pasi Lulzim Basha, në 9 shtator 2021, i dha fund dilemës, duke u pozicionuar në krah të SHBA-ve dhe distancuar nga Berisha, të cilin e pezulloi si anëtarë të grupit parlamentar të PD-së. Gjatë fushatës së tij disamujore për rrëzimin e Lulzim Bashës, Sali Berisha e akuzoi Bashën se kishte shitur sovranitetin e PD-së tek amerikanët dhe se kishte bashkëpunuar me George Soros në prapaskenë, për ta shpallur non grata.
“Lulzim Basha ishte njëri nga ata të cilët punonte së bashku me Edi Ramën në projektin e George Soros, unë këtë e kisha marrë vesh…. E kuptoj presionin, por pavarësisht nga presioni, mendoj se më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij se sa sovranitetin e PD. Asgjësoi PD si parti sovrane”, thoshte Berisha.
Me dorëheqjen e Lulzim Bashës, Enkelejd Alibeaj u caktuar kryetar i komanduar i Partisë Demokratike. Raportet mes Berishës dhe Alibeajt u tensionuan kur Alibeaj zhvilloi një takim me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Takimi nënkuptonte qartësim se SHBA nuk e njihnin Grupin e Themelimit apo Foltoren e Berishës, por Alibeajn si kryetar në detyrë të opozitës.
Pas këtij takimi, Alibeaj ishte në shënjestër të sulmeve të diktuara nga Berisha. Pjesë e sulmin ishte edhe një fake news, sipas të cilit Enkelejd Alibeaj, akuzohej se kishte marrë para nga ish-presidenti i Bankës Qendrore të Paraguait, Carlos Fernández Valdovinos./shqiptarja.com