Deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar pas publikimit të platformës nga Enkelejd Albieaj e cila u mbështet nga 31 anëtarë të Grupit Parlamentar, mes tyre dhe Lulzim Bashës.
Salianji thekson se platforma e publikuar nga Alibeaj është tërësisht e ndryshme nga ajo që iu paraqit atij, ndërkohë që thekson se “Përgjegjës për krijimin e 2 partive do të jenë ata që dukshëm po venë interesat e përfitimeve personale mbi interesat e demokratëve!”
“Çdo deklaratë e njëanshme pa marrë as dakordësinë për publikim të shumë prej kolegëve e përçan dhe ndan Partinë Demokratike, përforcon idenë që ka llogore dhe i fryn ndasive që ekzistojnë!
Dokumenti i paraqitur është tërësisht i ndryshëm nga ai që personalisht mu paraqit dje 5 minuta para konferencës së anulluar për shtyp!
Forma, mënyra dhe përgatitja e këtij dokumenti mbyllin rrugën për çdo diskutim të përbashkët dhe krijojnë premisat për ndarjen përfundimtare të Partisë Demokratike!
Përgjegjës për krijimin e 2 partive do të jenë ata që dukshëm po venë interesat e përfitimeve personale mbi interesat e demokratëve!
Dorëheqjet duke mos hequr dorë nuk janë zgjidhje ashtu si çdo proces i njëanshëm është i dëmshëm për Partinë Demokratike!
Pas deklarimit publik të këtij dokumenti mbyllet dera për çdo zë racional dhe për të mbrojtur çdo interes që zgjedhjet brenda partisë të jenë gjithëpërfshirëse!
Koha do të zbulojë se si kjo deklaratë publike bëhet për interesa meskine, me strategjinë e qartë qe Partia Demokratike të ndahet dhe të krijohen 2 parti! Ofertat publike apo ultimatumet janë një gjuhë që nuk i rrijnë për shtat as një komunikimi normal me kundërshtarin politik dhe jo më me pjesëtarët e të njëjtës familje politike.
Forumet e partisë aty janë, mungon vetëm vullneti ne rastin me te mire apo akoma me keq synimi për ta ndare PD në pjese! Përgjegjës do të mbahen ata që përpiqen të mbajnë me thonj privilegje të pamerituara dhe përfitime tërësisht personale!”, thekson Salianji.
g.kosovari