Programi i takimit trepalësh të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, u parapri nga takimet e veçanta që ministri Ditmir Bushati zhvilloi në selinë e ministrisë së Jashtme me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Paolo Gentiloni dhe më pas me homologun serb Ivica Daçiç, në prezencë të delegacioneve respektive.
Gjatë këtyre takimeve, ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Italisë dhe Serbisë, diskutuan mbi projekte të përbashkëta konkrete, me interes të ndërsjellë, në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj., duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
MPJ bën të ditur se në takimin kokë më kokë të Ministrit të Jashtëm Ditmior Bushati me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Paolo Gentiloni, u diskutua për agjendën evropiane të Shqipërisë, masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe koordinimin më të mirë në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë.
Dy Ministrat u ndalën në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku Ministri Bushati e falënderoi homologun Gentiloni për angazhimin e ndërmarrë për heqjen e taksës së transportuesve.
Më pas, kryediplomati Bushati zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Ivica Dacic.
Gjatë takimit, të dy Ministrat diskutuan mbi ecurinë e raporteve dypalëshe në dritën e zhvillimeve me të fundit dhe të shkëmbimit të vizitave të dy Kryeministrave, Edi Rama dhe Aleksandar Vučić.
Ministrat evidentuan nevojën për konkludimin e marrëveshjeve të dakordësuara në parim në fushat e zhvillimit ekonomik, lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe arsimit të lartë.
Palët vlerësuan hapat e kryera nga të dy vendet për konkretizimin e angazhimeve të marra në kuadër të procesit të Berlinit.
Takimi trilateral është një nismë e iniciuar më shumë se një vit më parë në Romë që synon shkëmbimin e pikëpamjeve dhe diskutimin e një sërë çështjesh të rëndësishme, si për tre vendet, ashtu dhe për rajonin e me gjerë.
Ecuria e procesit të integrimit evropian dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, në frymën e procesit të Berlinit dhe duke pasur parasysh Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, do të jenë në fokus të këtij takimi të rëndësishëm, objektiv parësor i të cilit do të jetë përforcimi i urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi.