Ndodhem në Tiranë. Është kohë dreke dhe pres të takoj Princin Leka II.
Rezidenca mbretërore shqiptare është e lehtë për t’u humbur nga sytë, e vendosur në një rrugë anësore të qetë pas muzeut kombëtar të artit.
Teksa Pallati Buckingham ka 775 dhoma, duke përfshirë 188 dhoma gjumi për stafin, 19 dhoma gjumi dhe 78 banja, rezidenca shqiptare do të ishte ndër shtëpitë më të vogla dhe më të nënvlerësuara në një periferi të pasur amerikane.
Porta e përparme hapet në një oborr ku vendi ruan statujat e padëshiruara sovjetike: Leninin, Stalinin dhe liderin komunist shqiptar Enver Hoxha.
Lenini nuk ka krahë. Kurse Hoxhës i mungon hunda.
Porta ruhet nga një shërbëtor i moshuar për të cilin mund të ishte shpikur termi rojtar besnik. Për shkak se jam britanik, acarimi i tij i maskuar hollë në praninë time më bën të ndihem si në shtëpi.
39-vjeçari shtatlartë, me pak mjekër, i veshur me një xhaketë sportive dhe me theksin e butë afrikano-jugor teksa përshëndetet me gruan, Princeshën Elia dhe vajzën 1-vjeçare, Princeshën Geraldina.
Kjo pasi dyshja do të shkojë në park… pa truproja.
Princi Leka II më çon brenda, në dhomën e pritjes, ku rojtari besnik më sjell një ekspres.
Ngjitur gjendet dhoma kushtuar historisë shqiptare dhe përtej saj është një sallë pritjeje komode me një divan lëkure. Një shtëpi e komprometuar pak nga harqet dhe shigjetat e varura ne mur.
Emri kozmopolit i Lekës tregon historinë e familjes së tij.
Zogu është për gjyshin e tij, një bej, i cili u bë kryeministër i Shqipërisë në vitin 1922, u bë president tre vjet më vonë dhe mbret në vitin 1928.
Kjo marrëveshje zgjati për 11 vjet, përpara se Musolini të pushtonte në vitin 1939, duke e bërë Shqipërinë pjesë të perandorisë italiane.
Zogu iku në Greqi, së bashku me gruan e tij, Geraldinën dhe djalin dyditor, emri i të cilit më vonë do të quhej Leka I.
Më pas, familja u transferua në Turqi, më pas Francë, Londër, pastaj Egjipt dhe sërish në Francë, ku Zogu ndërroi jetë në vitin 1961. E veja dhe djali u transferuan në Spanjë dhe më pas në Zimbabve përpara se të përfundonin në Afrikën e Jugut.
Kurse emrat e tjerë që i vijnë pas, Leka Anwar Zog Reza Baudouin Msiziwe Zogu, janë për nder të udhëheqësve që kanë ndihmuar familjen mbretërore në mërgimin e gjatë.
Anwar është për presidentin egjiptian Anwar El Sadat. Reza për Mohammad Reza Pahlavi, shahun e fundit të Iranit. Baudouin për Boudewijn, xhaxhai i mbretit aktual të Belgjikës.
Leka është një paradoks. Një princ mbretëror që jeton në një republikë demokratike.
Pozicioni i tij është i vetmuar, si djali i vetëm i një djali të vetëm. Ai i ka caktuar vetes një detyrë të pamasë: të veprojë si një figurë unifikuese në një vend të varfër me një sistem politik ende të plagosur nga gjysmë shekulli autoritarizëm.
Dhe mjetet në dispozicion të tij janë të pakta. Një emër tingëllues, një mënyrë e butë dhe një grusht llogarish në mediat sociale.
Leka është aktiv në Facebook dhe Instagram dhe herë pas here hyn në Twitter, ku llogaria e tij e paverifikuar premton të ndajë një “kombinim të ngjarjeve personale dhe zyrtare”.
Në të gjithë Evropën, familjet mbretërore shihen në mënyra të ndryshme si atraksione turistike, artefakte të turpshme, udhëheqës shpirtëror dhe simbole të identitetit kombëtar.
Disa vende që mërguan monarkët e tyre në favor të fashizmit, komunizmit ose sundimit ushtarak – Greqia, Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Shqipëria – kanë lejuar familjet e tyre mbretërore të kthehen në shtëpi, duke bërë pakte të vështira me historinë.
Ata janë mbretër, por jo mbretërues. Monarkë pa frone, të kapur mes së shkuarës dhe së ardhmes. Një numër befasues prej tyre janë futur në politikë. E çfarë mund të duan vendet e tyre nga ta?
Pallati origjinal mbretëror u konfiskua nga komunistët në vitin 1946 dhe familja mbretërore nuk merr asnjë financim nga shteti. Ai nuk ka asnjë rol të njohur me Kushtetutë. Dhe ka vetëm një shans të vogël për të rifituar fronin.
Në një farë mënyre, historia e tij është kryesisht mijëvjeçare. Në gjeneratat e mëparshme, një princ i kurorës mund të priste me padurim një punë të sigurt, të përhershme, me një rrogë dhe përfitime të mëdha.
Leka, në vend të kësaj, po kryen detyrat mbretërore për “ekspozim”, me shpresën se do të punësohet me kohë të plotë.
Njëfarë stazhi i papaguar në monarki.
“The Atlantic”