Gjermania ka konfiskuar superjahtin më të madh në botë që është në pronësi të oligarkut rus, Alisher Usmanov.
Ky konfiskim është në kuadër të veprimeve të Gjermanisë pasi ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.
Jahti “Dilbar” i gjatë 156 metra, vlerësohet se kap vlerën e 555 milionë eurove, sipas revistës Forbes.
Tetorin e kaluar, ky jaht ishte ankoruar në Hamburg për t’u riparuar.
Për javë të tëra, dogana gjermane ka synuar që ta konfiskojë këtë jaht, por për shkak të paqartësive mbi pronësinë e tij nuk kishte arritur të ndërmerrte veprime.
Por, Policia federale gjermane la të kuptohet se ka pasur sukses “pas hetimeve të gjata, dhe pavarësisht nga fshehja përmes kompanive ‘offshore’, ka identifikuar pronaren e ‘Dilbar’, e që është Gulbakhor Ismailova, motra e Alisher Usmanovit”.
“Ky jaht luksoz tani është nën regjimin e sanksioneve dhe kështu që mund të konfiskohet në Hamburg”, shkroi policia në Twitter.
Miliarderi rus dhe motra e tij janë në listën e sanksioneve evropiane kundër oligarkëve rusë, por edhe familjarëve të tyre.
Usmanov, 68 vjeç, më 2021 ishte personi i gjashtë më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar, sipas një liste të publikuar nga Sunday Times.
Ai dhe dhjetëra oligarkë rusë janë sanksionuar nga Perëndimi qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Të mërkurën, klubi anglez i futbollit, Everton, pezulloi marrëveshjet e sponsorizimit me disa kompani, në të cilat Usmanov ka aksione.
Konfiskimi i “Dilbar” është një prej disa konfiskimesh të superjahteve ruse që janë nën sanksionet perëndimore./REL
/b.h