Çmimi i biletave të fluturimit pritet të jetë më i lirë, pasi qeveria ka vendosur të ulë nga 10 në 1 euro për pasagjer taksën e kufirit.
Më 8 prill, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj dhe ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, kanë miratuar një vendim të përbashkët për uljen e kësaj tarife për të gjitha kompanitë që ofrojnë shërbimet e fluturimeve, të cilat e vilnin taksën te çmimi i biletës.
Buxheti do të humbë të paktën 12 milionë euro nga ky vendim.
Një vit më parë të ardhurat tatimore nga tarifa e kufirit ishin 11.8 milion euro, dhe 6.6 milion euro në vitin e pandemisë 2020.
Humbje nga ky vendim do të ketë edhe koncesionari i Aeroportit të Tiranës, pasi vjel 2% të të ardhurave si agjent tatimor që mbledh tarifën.
Taksa e kufirit ishte e vendosur përpara 2 dekadash, po nëse në pikat kufitare tokësore dhe detare ajo u shfuqizua vite më parë, në aeroport kishte mbetur në fuqi./m.j