Tashmë do të ketë një Koordinator të ri për Sanksionet nga Departamenti amerikan i Shtetit ndaj personave të korruptuar në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bën me dije se në rolin e Koordinatorit për Sanksiont nga DASH do të jetë ambasadori Jim O’Brien.
“Ne mirëpresim ambasadorin Jim O’Brien si Koordinatorin e ri të Sanksioneve të Departamentit të Shtetit. Jim do të luajë një rol vendimtar në formësimin e politikës sonë të sanksioneve për të promovuar përgjegjësinë për korrupsionin dhe abuzimin e të drejtave të njeriut dhe për të penguar aktivitetet që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, shkruan Blinken.
Kujtojmë se presidenti amerikan Joe Biden ka nxjerrë një urdhër ekzekutiv për sanksionimin e personave të korruptuar dhe që kërcënojnë sigurinë e SHBA-së, në Ballkanin Perëndimor.
Shënjestër e këtyre sanksioneve së fundmi ishin ish-deputeti Aqif Rakipi dhe biznesmeni Ylli Ndroqi./m.j