Ukraina dhe Rusia janë duke “luftuar” edhe në fushën e informacionit, para dhe gjatë luftës, gjë e cila po vërehet edhe në rastin e sulmit me raketa ndaj kryeqëzorit të rëndë “Moskva” në Detin e Zi. Ukrainasit pretendojnë se e kanë fundosur, kurse rusët thonë se ka rënë një zjarr, i cili është vënë nën kontroll.
Momentalisht është e pamundur verifikimi i pavarur i gjendjes së saj pasi shtresat e reve në rajon e bëjnë të pamundur fotografimin nga satelitët.
Por çfarë është “Moskva”?
Kryqëzori “Moskva”, anija që mban flamurin e Flotës së Detit të Zi, ishte (ose është) një anije ushtarake me peshë të madhe në marinën ruse, e cila krahas përfshirjes në operacione ushtarake ishte edhe një instrument diplomatik i Rusisë.
Kryqëzori i rëndë, 186 metra i gjatë u vu në shërbim në vitin 1983, gjatë epokës sovjetike, me emrin Slava (Lavdia). Misioni i saj parësor ishte shkatërrimi i aeroplanmbajtësve armike.
Kryqëzori u emërtua Moskva në maj 1995. Ai është i armatosur me 16 raketa Bazalt / Voulkan kundër anijeve, raketa Fort, versionin detar të raketave me rreze të gjatë S-300 dhe raketa me rreze të shkurtër veprimi Ossa. Ai gjithashtu ka raketahedhës, topa dhe silurë, raporton abcnews.al.
Sipas agjencisë Ria Novosti, Moskva është modernizuar dy herë në historinë e saj, e dyta në periudhën 2018-2020.
Ekuipazhi i saj përbëhet nga 680 burra, sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes.
“Moskva” ka marrë pjesë në tre luftëra
Lufta e parë ishte pushtimi rus i Gjeorgjisë në vitin 2008. Rusia nuk ka dhënë informacion mbi misionet e anijes, por sipas një zyrtari të lartë gjeorgjian, kryqëzori rus hyri në portin e Ochamchire për të bombarduar ushtrinë gjeorgjiane në Luginën Kontori. Gjerorgjia humbi më pas kontrollin e bastionit të saj të fundit, që ende mbahet në rajonin separatist të Abkhazisë.
Presidenti i atëhershëm i Rusisë, Dmitry Medvedev, kishte shprehur “mirënjohjen” e tij për ekuipazhin e anijes luftarake për “guximin dhe vendosmërinë” e tij gjatë konfliktit.
Pas ndërhyrjes së Rusisë në anën e Bashar al-Assad në luftën në Siri, Moskva u vendos nga shtatori 2015 deri në janar 2016 në Mesdheun lindor për të siguruar, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, “mbrojtjen ajrore” të bazës së saj ruse në Hmeimim.
Menjëherë pas kësaj, Vladimir Putin i dha të gjithë ekuipazhit Medaljen Nakhimov për “guximin dhe vendosmërinë e tyre”.
Nga Sevastopoli, Krime, e cila është baza e flotës ruse të Detit të Zi, Moskva po merr pjesë në sulmin e nisur më 24 shkurt 2022 nga Vladimir Putin kundër Ukrainës.
Në një bisedë radiofonike në fillim të luftës dhe që atëherë ajo ka marrë përmasa legjendare dhe është ngulitur në një pullë postare të Ukrainës, rojet kufitare të ishullit të vogël të jjarpërinjve iu përgjigjën me sharje kryqëzorit rus kur iu kërkua të dorëzohej.
Menjëherë pas kësaj, Moskva dhe anija Vassili Bykov bombarduan ishullin. Anëtarët e rojes kufitare ukrainase u kapën rob.
Misionet diplomatike dhe takimi Gorbachev-George W. Bush
Kryqëzori Moskva, i quajtur ende Slava, mori pjesë në samitin maltez midis liderit sovjetik Mikhail Gorbachev dhe Presidentit të SHBA George Ë. Bush në anijen Maxime Gorki në dhjetor 1989, menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit.
Anija gjithashtu mori pjesë në Konferencën e Çarmatimit Bërthamor të Jaltës në gusht 1990.
Ajo ka lundruar nëpër dete duke marrë pjesë në stërvitje ushtarake dhe ka vizituar shumë porte evropiane, aziatike dhe afrikane.
Ajo ka pritur gjithashtu liderë të huaj. Vladimir Putin priti presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi ose, gjatë vizitës së tij në Itali, kryeministrin e atëhershëm italian Silvio Berlusconi me nderime ushtarake në Soçi në gusht 2014. /abcnews