Teksa Departamenti i Thesarit amerikan sanksionoi ish-deputetin Aqif Rakipi, pritet që SPAK të njoftojë zyrtarisht nisjen e hetimeve.
Gazetarja Klodiana Lala u interesua pranë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të marrë një përgjigje për faktin nëse SPAK ka nisur apo jo hetimet.
Burime zyrtare nga SPAK bënë me dije se ky institucion është duke kryer funksionet e tij në bazë të kompetencave dhe legjislacionit në fuqi, por nga ana tjetër sqaron se nuk mund të japë për këtë çështje më shumë detaje.
“Prokuroria e Posaçme është dike kryer të gjitha funksionet e saj bazuar në kompetencat që ka dhe legjislacioni në fuqi. Nuk mund të japim më shumë detaje për veprimet konkrete që kryejnë prokurorët.”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Aqif Rakipi u vendos në listën e zezë të SHBA-ve më 11 prill, ku iu bllokua dhe pasuria. Në arsyetimin e tij Departamenti i Thesarit ka zbuluar arsyet se pse është marrë ky vendim, ndërsa shigjeton me akuza Rakipin.
“Aqif Rakipi (Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike. Rakipi ka qenë prej kohësh i përfshirë në krimin e organizuar dhe është i lidhur ngushtë me një Grup Krimi të Organizuar, brenda të cilit ai ka ushtruar ndikim politik, përfshirë edhe përmes korrupsionit. Për shembull, Rakipi ka përdorur ndikimin e tij politik për të emëruar miqtë e tij në pozicione kyçe publike në Elbasan dhe Tiranë. Rakipi humbi mandatin e tij si deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi prokurorët konfirmuan rolin e tij në veprimtari kriminale nën një pseudonim. Ai përcaktohet në bazë të E.O. 14033 sepse ka qenë përgjegjës ose bashkëpunëtor në ose për përfshirje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në korrupsion lidhur me Ballkanin Perëndimor, përfshi korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, apo një zyrtar aktual ose të kaluar qeverie, në çfarëdo niveli të qeverisjes në Ballkanin Perëndimor, siç është përvetësimi i pronave publike, shpronësimi i pronave private për përfitime personale ose qëllime politike, apo ryshfete”, thuhej në raport./BW
g.kosovari