Kirurgët e mahnitshëm i hoqën plumbin nga zemra një ushtari ukrainas gjatë një operacioni të pabesueshëm që i shpëtoi jetën. Mjekët e jashtëzakonshëm ia dolën t’ia hiqnin plumbin nga organi jetik, ndërkohë që zemra vazhdonte të pomponte gjak për trupin e tij.
Ekipi heroik i mjekëve ukrainas luftoi për t’ia shpëtuar jetën ushtarit në spitalin Feofaniya të Kyiv dhe ia doli me sukses. Pasi u dërgua me urgjencë në sallën e operacionit nga vija e parë e luftës, mjekët kryen operacion me zemër të hapur për t’ia hequr plumbin.
Pamjet e pabesueshme të heqjes tregojnë se zemra e tij ende rreh në gjoks, ndërsa kirurgët heqin butësisht copëzat metalike. Më pas, mjekët shihen duke e vendosur plumbin në një pjatë. Mjeku bjellorus Maksim Paulouski ishte në mesin e kolegëve ukrainas që kryen operacionin e ndërlikuar.
Ushtari me zemër luani u fotografua më vonë duke qëndruar pranë kirurgëve të guximshëm që i shpëtuan jetën. Për mrekulli, duket se ai ishte zgjuar menjëherë pas përvojës së tij pranë vdekjes.
Ukrainasi, me fasha sportive dhe një mbajtëse gjoksi, u buzëqeshi mjekëve që i shpëtuan jetën. Ai thuhet se është ende i etur për të luftuar për vendin e tij të dashur, i cili mbetet i rrethuar nga Rusia.
Por, mes historive zemërthyese që dalin vazhdimisht nga vijat e frontit, historitë e mjekëve të përkushtuar që punojnë në zonën e luftës mbeten një fener shprese. Më parë, David Beckham i huazoi llogarinë e tij në Instagram një mjekeje ukrainase në përpjekje për të treguar realitetin e objektit të saj mjekësor në vështirësi.
Legjenda e Man United u bëri një thirrje të përzemërt tifozëve të tij që të mbështesin “njerëzit e jashtëzakonshëm” që punojnë në “kushte të tmerrshme”. Ai lavdëroi drejtoren e qendrës rajonale perinatale dhe anesteziologen pediatrike Iryna, përpara se t’ia jepte asaj llogarinë e tij në rrjetet sociale.
Aty, mjekja ukrainase detajoi gjendjen e spitalit që drejton gjatë kujdesjes për foshnjat e porsalindura dhe nënat e tyre në Kharkiv, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
/a.r