Më shumë se 10 ditë nga arrestimi i të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale në vend, një grup hetuesit belgë kanë mbërritur në Shqipëri.
Dy prokurorë nga Belgjika kanë zbarkuar në organin e hetimit në qytetin e Elbasanit, duke takuar kreun e saj, Kreshnik Ajazi. Burimet bënë me dije se prokurorët kanë parashtruar disa pyetje në lidhje me të shkuarën e Nuredin Dumanit, pasi duan të zbulojnë nëse ai është përfshirë në veprimtari kriminale në Belgjikë, duke kryer vrasje me porosi për llogari të grupeve kriminale.
Disa persona, kryesisht me origjinë nga Elbasanit, janë vrarë në Belgjikë, porosia për të cilët dyshohet të jetë bërë nga grupet kriminale që veprojnë në Elbasan, pjesëtarë të të cilëve jetojnë në Dubai.
ARRESTIMI
Nuredin Dumani mund të kishte kryer një tjetër atentat në qytetin e Elbasanit më 29 mars, nëse ndaj tij nuk do të ishte ngritur një pritë duke u qëlluar me breshëri kallashnikovi. Pas të shtënave me armë zjarri në aksin nacional Peqin-Elbasan në vendin e quajtur Papër, Dumani mbeti i plagosur me disa plumba.
Pavarësisht kësaj, ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes, duke shkuar deri në Fier pa u pikasur nga forcat e Policisë. Ka qenë një telefonatë anonime në Polici për një person të plagosur në lagjen “Apolonia”, që çoi forcat e rendit në banesën e Nuredin Dumanit.
“Gjatë operacionit, bashkë me shtetasin Nuredin Dumani, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen ‘Apolonia’, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe me një pistoletë në automjet”, sqaroi Policia. Ky person rezulton të jetë shtetasi Henrik Hoxhaj, i cili konsiderohet si “ushtar” i Dumanit dhe njeriu më i afërt i tij, por deri më tani nuk dihet asgjë nëse ai është përfshirë në ngjarje kriminale.
Gjatë operacionit të Policisë dhe kontrollit të forcave të rendit në banesën me qira ku qëndronte Dumani, u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë zjarri e llojit kallashnikov, si dhe prova të tjera, të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga grupi hetimor.
Në të njëjtën kohë, një armë kallashnikov u gjet në automjetin “BMW X5” me xhama të zinj jo shumë larg vendit ku ndodhën të shtënat në Elbasan.
KUSH E QËLLOI NUREDIN DUMANIN?
Pas ngjarjes në fshatin Papër të Elbasanit rreth orës 17:35 minuta të së martës së 29 marsit, kur u dha njoftimi se ishte qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të një automjeti, në vendin e ngjarjes u gjet një “BMW X5” me ngjyrë të zezë dhe goma të shpuara.
Për orë të tëra mbeti mister fakti se kush ishin personat brenda saj, por riktheu në vëmendje edhe një herë përplasjet midis bandave kriminale në këtë qytet. Midis emrave të përfolur është edhe ai i Talo Çelës, i cili dyshohet t’i ketë ngritur pritë Dumanit me qëllim për ta eliminuar për shkak se e akuzon për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela, por megjithatë, sot dhe e kësaj dite për hetuesit ende nuk ka një emër konkret se kush qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të 35- vjeçarit.
Policia ende nuk e di dinamikën e plotë të ngjarjes së ndodhur në Elbasan dhe as pozicionin e Nuredin Dumanit në këtë ngjarje, prova më e fortë e të cilit është plaga në trup me armë zjarri dhe për Policinë plagosja ndodhi pikërisht atje./panorama.al
g.kosovari