Tensionohet situata në Parlament, pasi nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj vendosi t’i ndërpresë fjalën ish-kryeministrit Sali Berisha, duke thënë se i mbaroi koha.
Megjithatë Berisha ka vijuar për disa minuta fjalimin e tij pa mikrofon. Në këtë moment është çuar në drejtim të foltores edhe deputeti demokrat Flamur Noka, duke nxitur ndërhyrjen e Gardës.
Pasi i fiku mikrofonin Sali Berishës pasi i përfunduan minutat, Flamur Noka dhe Albana Vokshi kanë ndërhyrë nga vendi dhe kanë kërkuar që minutat e tyre t’i shtohen ish-kryeministrit, por kjo nuk është pranuar nga drejtuesja e Kuvendit Ermonela Felaj.
Noka ka shkuar tek foltorja, ku qëndronte ende Berisha, duke iu drejtuar Felajt se nuk po respektonte rregulloren. Menjëherë ka ndërhyrë garda, ndërsa ajo i ka kujtuar procedurën duke i thënë se koha ka përfunduar.
“Nuk kam ndërmend të lejoj fjalë mbi atë që parashikon rregullorja, zoti Noka ju tërheq vëmendjen për gjuhën e papërshtatshme ndaj kryetares së Kuvendit, zini vend e mos flisni pa radhë, uluni…”, u shpreh Felaj.
Debati në Kuvend:
Flamur Noka: Kush je ti? Je mashtruese por mos e trego dhe në televizor që je mashtruese
Ermonela Felaj: Ka mundësi të ulesh? Nuk më impresionon fare sjellja juaj, as fyerjet
Edmond Spaho: Ju s’të jepni kohën në Kuvend, dhe flisni pastaj për bashkëpunim. Reflektoni, sjellja karshi nesh është e papranueshme./m.j