Nga Ben Andoni
Me zhurmën, premtimet, punën shumë lëbyrëse që bëri kongresi i PS-së orët e fundit u duk se gjithçka ishte në skaje suksesi. Ose më saktë: Partia Socialiste drejton e qetë me një grup jashtëzakonisht profesional dhe me një fizionomi reale të së ardhmes. Kongresi u nda me disa panele, ku ministrat e z. Rama më shumë imitonin rolin e tij në fushat respektive, sesa ishin të ndërgjegjshëm për stadin ku po gjendet sot Shqipëria. Fjalimi i stërgjatë i z.Rama nuk u mor aq shumë me problemet e brendshme të PS-së sesa me të jashtmit. Ashtu si ndodh zakonisht. Tërheqja e vëmendjes për SPAK-un mori interesin më të madh sepse direkt i drejtohej edhe një nga shqetësimeve më të mëdha të gjithë shqiptarëve: A duhet të shkoj DREJTËSIA e re në thelb të gjërave apo duhet të na lerë para syve paradokse “non grata” si Berisha, Gjushi, Doshi, që etiketohen duke u nisur nga i pari me një regjistër galopant korrupsioni por që në fakt po e bëjnë të qetë e patrazuar jetën e tyre?!! Madje, edhe duke na dhënë këshilla morale. Ministrat e Ramës në një imitim jo të denjë për forcën e partisë së tyre kishin lënë pas derës atë që u duhet shqiptarëve të shumtë në këtë kohë: Përuljen. Para një të ardhme kaq të padukshme dhe kaotike s’ka vend për fanfara. Edhe pse kjo përmendët shpesh nga Rama, që përveç të tjerave arriti dhe kumtoi se: do të merrte vetë ndonjë për veshi drejt SPAK-ut, në fjalimin e tij nuk u ndje. I vetmi që artikuloi me bazë dhe që tashmë është bërë oponenti i politikës së PS-së, Erion Braçe u kalua pa ndonjë vëmendje paçka se shqetësimi i tij vjen nga informacioni në terren i Bujqësisë, njërës prej fushave kryesore të vendit. Kurse përballja “e sinqertë” e Ulsi Manjës përfundoi me një servilizëm aspak jo të zakonshëm. Artikulimi i drejtë për shqetësimin e bazës dhe marrëdhënien e braktisur me të, në fund u mbyll me atë që vetëm Rama i mbledh votat!!! Përgjigja cinike e ministrit Çuçi, zyrtarit më me kredite te Rama, të bënte të kuptoje metamorfozën e sotme të socialistëve por edhe të gjithë argumentin e mësipërm. Njerëzit e PS-së nuk e kuptojnë më bazën dhe janë shumë larg problematikave, që përkthehen në masën e madhe të shqiptarëve të larguar dhe në parametra ekonomikë që nuk duhet t’i zërë gjumi.
Por realisht në këtë Kongres, Partia Socialiste humbi edhe një mundësi për t’i treguar publikut sesa afër së Majtës janë. Si do të vazhdojë në të ardhmen politika e PPP-ve, si do të përballet me skandale të tilla si ai i inceneratorëve, si do të përballet me vlerat e anti-fashizmit, cili do të jetë qëndrimi politik ndaj autoritarizmit të brendshëm të Serbisë për “Balkan Open”, si do përgatitemi për sfidat e sigurisë së të ardhmes, po qëndrimi ndaj kapitalit dhe futjen e shtetit tek privati… Apo, a do vazhdohet më me shprehje si ajo e kryeministrit: ”Ejani në Shqipëri se nuk ka SINDIKATA”!…
Ndaj, shqetësimi më i madh i njerëzve që e ndjekin është se: deri ku, kjo parti e Majtë, që jo rrallë vepron si e Djathtë, është duke mbajtur interesat e atyre që de jure na i paraqet se është kundër. “Paguajmë ende sot 90 mijë euro në ditë koncesionin e inceneratorëve ndërsa 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 USD në ditë!”, u shpreh zyrtarja e Opozitës, Tabaku. Jo më kot, sot, kalimi nga një fokus ekonomik i të Majtës drejt fashave të tjera i ka bërë ngado parti simotra të krahut të Majtë të lidhura ngushtë më shumë me ardhjet e financimit, që në programet e të Majtëve de facto konsiderohen si të papërshtatshëm. Dhe, në aspektin ideologjik, për të Majtën e vërtetë shqiptare apo fytyrën e saj nuk pati kohë reale, sepse në të vërtetë është e pamundur me këtë stad, ku është sot PS-ja. Ku Rama edhe për një shpjegim të thjeshtë duhet të fliste në minuta të tëra duke e sfumuar edhe atë bazë të vogël demokracie të së Majtës, e cila po sheh Kultin e Individit, që po i ngrihet përditë.
Nuk është e largët dita, kur njerëz brenda kësaj force, që do humbin interesat, më pak idealistë dhe shumë më tepër karrieristë, të shpërfaqin interesat e tyre por atëherë nuk do të ketë vetëm një Ulsi apo Braçe por shumë të tjerë që do të duan ta mjelin apo godasin PS-në, si kanë bërë shumë qoftë edhe deri tani nën hijen e madhe të Ramës. Tashmë në PS u ka mbetur të pëshpëritin dhe t’i bien sa më shumë në sy kryetarit të partisë, që i sheh me shumë vështirësi nga lartësia ku e kanë venë. Për fat të keq, kështu edhe nisin krizat: Kryetari humb perceptimin, ndërsa ata rreth tij i thonë vetëm gjërat që duhet të dëgjojë. Baza fle se fitoren e arrin kryetari, por kur ka shqetësime vinë njerëz që nuk i kuptojnë…Partia Demokratike po na e përshfaq për ditë këtë përvojë dhe katrahura e tyre ka bllokuar gjithë vendin…Dhe, mësimi i tyre është një mësim free, që mund të merret që tani për të ardhmen e vendit, nëse PS-ja do të jetë ndonjëherë vërtetë e Majtë dhe për shqiptarët. (Javanews)