Nga Leart Kola
How to think the world if we do not know how to dream it (“Si ta mendojmë botën nëse nuk dimë ta ëndërrojmë”)
“Edhe më parë kam vendosur në dukje se në kushtet e sotme të Shqipërisë nuk bën shumë kuptim të flasim për të majtën dhe të djathtën, ose për politikanë të majtë dhe të djathtë” – kështu e nis replikën në analizën e tij Prof. Dr. Fatos Tarifa ndaj një artikullit tim të disa ditëve më parë botuar në Gazetën DITA.
Edhe pse kam tendencën që të bie dakort me profesorin në analizat e tij sociologjike, për fat të keq nuk mund të bie dakord me qasjen e tij kur vjen puna tek filozofia politike. Në Shqipëri nuk ka të “majtë” dhe të dajthtë, sepse në Shqipëri ka pasur vetëm të djathtë, rrjedhimisht ska pasur asnjëherë të majtë.
Qëndrimi im është që jo vetëm pas 90-ës nuk ka pasur një të majtë po as para saj. (Por kjo çështje nuk do jetë pjesë e kësaj analize, sepse besoj që akoma nuk jemi përballur me traumën e kohës së Enverit e për këtë duhet një studim i mirëfilltë dhe i sinqertë që ka munguar per gjithë këto vite)
Në këto kushte në Shqipëri të majtën duhet akoma ta krijojmë!
Pas 90-ës ajo që duhet të përfaqësonte të majtën, pra Partia Socialiste ka ndërrmarrë aktet më të djathta të historisë së Shqipërisë. Fatos Nano, bustin e Marksit e la në Bënçë, se me të marrë qeverinë udhëhoqi një fushatë agresive privatizimesh duke e nisur aty ku e la Saliu në 97-ën, madje dhe me keq, pasi në atë kohë u privatizuan sektorët jetike të ekonomisë shqiptare, ajo qeveri asgjë të përbashkët nuk kishte me të majtën, madje njihet dhe si promovuesja e korrupsionit institucional dhe ku diferencat shoqërore deri atëherë kaotike u ravijëzuan për herë të parë dhe ku filluan të krijoheshin super të pasurit që kishin lidhje me shtetin dhe kësisoj shtresëzimi klasor që sot ka arritur ekstremin.
Neoliberali i parë shqiptar ishte Fatos Nano, partia e parë që institucionalizoi mbështetjen për kapitalin e madh ishte qeveria e Partisë Socialiste në vitet 1998-2005, ku me gojën e tij Fatos Nano deklaronte “qeveria ime do të jetë avokatja e biznesit”.
Blendi Kajsiu, ka shkruar një libër të shkëlqyer për këtë “Analizë e ligjërimit të korrupsionit – Institucioni i neoliberalizmit kundër korrupsionit në Shqipëri, 1998-2005), sidomos për influencën e Bankës Botërore dhe FMN-së ku pasi këshilluan qeverinë e Saliut që të hiqte dorë nga çdo influencë ekonomike dhe çdo prezencë të shtetit në ekonomi e më pas vetëm disa muaj përpara kolapsit të vendit nga kriza e firmave piramidale e shpallnin Shqipërinë si një ekonomi për t’u marrë shembull në rajon “një mrekulli e tregut e quanin ata”.
Se çfarë ndodhi më pas e dimë të gjithë, me sa kosto njerëzore dhe gati me cënimin territorial të vendit, që u shpëtua në ekstremis nga situatat gjeopolitike në rajon më shumë se nga aftësia jonë.
Pas 97-ës për të justifikuar politikat e tyre katastrofike FMN dhe BB, nuk kërkuan asnjëherë falje, përkundrazi filluan të thellonin politikat e tyre neo-liberale dhe një problem tipik të qasjes së gabuar të politikave fiskale e transformuan në një çështje kulturoro-antropologjike.
“Shqiptarët janë popull genetikisht i korruptuar prandaj dhe sygjerimet tona nuk funksionuan” – këtë flamur për fat të keq nuk përtoj ta valviste Fatos Nano apo Meta e Majko e kujtdo që i ra rruga nga posti i kryeminsitrit në atë periudhë.
Në këto kushte të paravendosura edhe “profesionistët e mirë” të PS u bënë njesoj si “profesionistët e keqinj të PD”, madje duke e kthyer atë që Saliu e kishte bërë më rrëmujë, në një sistem tashmë të pakthyeshëm. Nuk do mend që aq i thellë ishte zullumi i këtyre sa shqiptarët nuk hezituan që të kthenin prapë “profesionistët e këqinj” me kosto sërish shumë të lartë jo vetëm në ekonomi por dhe në njerëz e këtu mjafton të përmendim rastin e GËRDECIT si një rast tipik i PPP-ve të kohës që dhe aty u kamuflua me një histori korrupsioni.
Nën udhëheqjen e këshillave të ndërkombëtarëve gjithë lufta jonë 30-vjeçare ka qenë një luftë kundra korrupsionit, një lugë boshe që ushqen në mënyrë ciklike shqiptarët nga Nano te Saliu dhe tani te Edi. Ky i fundit dhe këto 9 vite të fundit në udhëheqjen e tij, kanë parë disa prej politikave më të djathta spektakolare që ka parë Europa edhe jo më Shqipëria.
Një parti që vjen në 2013-ën me premtimin e shëndetësisë falas dhe të parën PPP që aplikon e aplikon në shëndetësi mund të shpjegohet vetëm me frazën kult të kësaj qeverie “nuk i paguan qytetari, por i paguan buxheti shtetit”. Politikat e PS 2013 dhe në vazhdim janë në dimensionin e djathtë të Margaret Thatcher, pra më e djathta mes të djathtëve, eksperimenti i PPP ka dështuar në mënyrë spektakolare kudo në Europë dhe ka prodhuar Pinochet e si të ngjashmit e tij në gjithë Ameriken Latine, këto janë pikërisht politika ekonomike që kjo qeveri nuk po aplikon vetëm në shëndetësi, por në infrastruktrë, energji, sport, arsim pra për t’i rënë shkurt kudo.
Pas çdo PPP kjo qeveri siç po bën dhe sot premton 30 Euro subvencionim për familjet që ranë në varfëri pikërisht nga aplikimi i këtyre politikave. Për luftën ndaj korrupsionit duke parë dhe ngjarjet e fundit më mirë mos ta analizojmë fare sepse fjala dështim do të ishte një eufemizëm.
Thënë këto ju pyes, cila paska qënë kjo e majtë që kemi provuar në Shqipëri? E majta në Shqipëri është akoma për t’u ndërtuar. Dhe ne nuk kemi referenca, sepse nuk mundet që të quhet e majtë ai sistem që kemi pasur për 45 vjet. Enveri ishte diktator, ai e mbante veten për filozof por as atë askend nga byroja politike nuk ke mundësi t’i citosh.
Ai ishte një sistem ku Shqipëria meqënëse mbeti në atë zonë influence pronari i vjetër Vrioni u zëvendësua me pronarin e ri Enveri, dhe duke pasur parasysh që dhe vetë koncepti i pronës në Shqipëri ka qenë një e drejtë e levizshme atëherë thjesht ndërruam pronar jo ideologji.
Në një farë mënyre kjo shkon me qëndrimin tuaj që Marksizmi mbetet akoma i paaplikuar edhe në BRSS sepse që pas Luftës së Dytë Botërore u pezulluan ideologjitë dhe u futëm në një luftë të ftohtë kampesh ushtarake dhe aspak ideologjike.
Për këtë unë jam plotësisht dakord me ju, por siç e thashë me sipër historia jonë 45-vjeçare nuk mund të komentohet në kushtet e debatit ideologjik mes të majtës e të djathtës por si një histori psikoze kriminale. Po ashtu Khmer Rouge në Kamboxhia e quante veten komuniste, por biem dakord që ai ishte një regjim vrastar që eleminoj gati gjysmën e popullsisë pa asnjë logjikë.
Sot në historinë e Shqipërisë ne nuk gjejmë asnjë gjurmë jo vetëm të social demokracisë skandinave, të së majtës romantike italiane por as atë më konkrete si ajo e François Mitterrand në vitet 80’ në Francë, apo Gjermanisë Perëndimore, dhe madje do shkoja më larg as atë socializmin fetar të vendeve post-koloniale si Algjeri, Egjipt etj. Askund në historinë tonë nuk mund të marrësh një referencë të asgjeje që do ngjante sado larg me socializmin.
A është fjala fashizëm jashtë kontekstit?
Ne nuk ekzistojmë në boshllek, ne jemi pjesë e një historie që e ndajmë me gjithë vendet post-diktatoriale dhe këtu jam dakort me ju, historia jonë e pas 90- ës është shumë e ngjashme me ta dhe pse disa shqiptarë flasin dhe mendojnë sikur të jenë popull i përzgjedhur për ndonjë mision historik. Ç’janë sot shtetet si Hungaria, Polonia, Çekia, Serbia, patjetër dhe Rusia apo vende jo funksionale si Rumania e Bullgaria? Cilat kushte i krijuan këto diktatorë të jenë të padiskutueshëm elektoralisht përpos politikat ekonomike neo-liberale të aplikuara aty pas viteve 90?
Rusinë ne mund të mos e quajmë dot fashiste sipas definicionit të shkencave politike! Po çfarë është Putin përpos një gangster regime? Çfarë ishte Hitleri përpos një gang që udhëhiqte një nga vendet më të fuqishme në botë? Orbani me të fituar, deklaroj që kjo është një fitore kundra Brukselit, ai madje operon dhe në terma praktike si diktator, jo vetëm në komunikim por dhe në strukturimin e shtetit.
Bashkërisht ndajmë një histori gati 80-vjeçare të njëjtë. Si mundet në mos ta diskutojmë dhe fatin e Shqipërisë sipas kësaj shëmbëlltyre?
Une nuk mendoj, siç mendojnë disa analistë që Rama është diktator njësoj si këta, Shqipëria sot nuk i përngjet aspak një regjimi të tillë, teza ime është tjetër, Rama është tranzicioni i përkryer që me politikat e tij populiste po i shtron rrugën Orbanëve shqiptarë që në mos nesër, pasnesër me këto politika që ai po ndjek do vijnë patjetër.
Siç e thashë dhe në artikullin e kaluar Rama është populist, si cilido i tillë ai ka një aftësi për të fshehur simptomat e sëmundjes por nuk ka mundësi për të kuruar atë. E me krizën që sipas gjithë raporteve pritet të thellohet jo vetëm në energji apo karburant por në çmimet e produkteve jetike. Ai nuk ka një plan, ose më saktë kjo strukturë qeverie dhe kjo marrëdhënie e sëmurë me palët e treta që e kanë futur shtetin në detyrime kontraktuale gati të pazgjidhshme e pamundeson zgjidhjen e një krizë të tillë ekonomike, që patjetër do transformohet në një krize politike e cila nëse ashtu siç dhe ju thoni në mungesë të një shoqërie civile aktive në mungesë të një debati të shëndetshëm dhe në kushtet e panikut e ka tepër kollaj të “sajojë” Orbanin e rradhës, e pikërisht ky është problemi im, praktik por dhe filozofik për rrugën që na pret.
SOCIALIZMI SHTETËROR – A është zgjidhja?
Ju në shkrimin tuaj e përjashtoni socializmin shtetëror si zgjidhjen e problemit, duke e shpallur si një tezë të provuar e të dështuar, unë më sipër u mundova të shpjegoj qëndrimin tim për këtë temë, por ashtu si dhe ju, unë nuk besoj tek zgjidhjet e provuara apo të konceptet e vjetëruara, për këtë në artikullin tim pohova që duhet të jemi absolutisht modern, jo vetëm në komunikimin tonë por mbi të gjitha në propozimet tona. Por a mund të nxjerrim shtetin (administratën) totalisht nga loja?
Në gjithë ekperiencën time në administratë kam parë që problem këtu nuk është adminsitrata (që sot dhe me gjuhën e kryeministrit është më e kriminalizuar se vetë krimi i organizuar) problem këtu në fakt janë postet politike si kryeministër, kryetar bashkie, ministra etj. Ata duke mos pasur asnjë profesion shpiken profesioniste në cilindo profesion që i hedh humori i shefit të madh, një herë janë inxhinjerë një herë ekonomistë e shumë shpejt astronaut (me këtë Albania 1 dhe Albania 2).
Në mungesë të ideologjisë apo të qasjes politike këta njerëz mbeten pa detyra konkrete (sepse detyra e tyre duhet të ishte orientimi ideologjik dhe politik i institucionit), në këto kushte transformohen në njëfarë ndërmjetësi mes biznesit dhe administratës që ata drejtojnë. Ajo video e Ilir Metës “më tha mua Gimi për këtë unë jep 7%”, nuk është vetëm video korrupsioni por është një thirrje alarmi se si duhet ndryshuar urgjent struktura udhëheqëse.
Të jesh politikan nuk është profesion duhet të klasifikohet si kontribut qytetar prandaj ne duhet t’ja heqim pushtetin politikanit dhe t’ja kthejmë administratës, me kushtin që administratën ta kthejmë në një trup me dinjitet që jo çdo hajvan që vjen në krye ka të drejtë të heqë e të vërë njerëz.
Franca sot me gjithë politikanët katastrofikë që ka prodhuar në të shkuarën apo dhe këta që konkurojnë sot vazhdon të mbetet një prej vendeve më të forta pikërisht sepse struktura e tyre menaxhuese mbështetet në një administratë të fortë. A është ky socializëm shtetëror?
Në këto 100 e ca vjet shtet ne e kemi sakatuar administratën duke e bërë atë një vasale të politikanit të rradhës dhe ky është gabimi kryesor që duhet të korrigjojmë për mendimin tim.
Une nuk besoj tek njerëzit, unë besoj tek procesi dhe tek struktura, unë besoj tek shoqëria jo tek individët. Histeria jonë për të shpikur një mesia të cilido politikan na ka sjellë në këtë derexhe ku ndodhemi dhe kjo është gjëja e parë që duhet të ndryshojmë, për këtë arsye as në shkrimin tim të mëparshëm, unë nuk jap formula, unë nuk kam formula dhe nuk e di se si zgjidhet për këtë unë jam socialist dhe besoj tëk e përbashkëta jo vetëm si pronësi materiale por dhe si mendim funksional.
Besoj që shteti që është në funksion të mirëqënies dhe të bashkësisë është përgjigja për ditët e errëta që do vinë, për këtë socializmin shtetëror nuk do e perjashtoja automatikisht nga diskutimi.
Në këto kushte thirrja e vetme mbetet që të gjithë sëbashku të mendojmë, të punojmë, të ndërtojmë një mendim që më pas të transformojmë të ardhmen tonë të përbashkët, pa formula të gatshme, duke besuar të procesi i dialogimit të asaj force progresiste që jam i sigurtë është shumicë në Shqipëri dhe për këtë arsye dua ta mbyll sërish me Chesterton dhe këtë shkrim si të shkuarin sepse besoj që në fjalët e tij është thelbi i asaj që dua të them.
“Le të pyesim veten fillimisht se çfarë duam në të vërtetë jo atë që vendimi i fundit ligjor na ka thënë të duam ose filozofitë logjike të kohëve të fundit vërtetuan se ne duhet të duam, ose profecitë e fundit shoqërore parashikuan se një ditë do të duam… nëse do të ketë socializëm le të jetë social, pra sa më ndryshe se i gjithë reparti i madh tregtar i sotëm. Rrobaqepësi juaj me të vërtetë i mirë, nuk e pret pallton sipas pëlhurave të tij, ai kërkon më shumë rrobë. Një burrë shteti vërtet praktik nuk i përshtatet kushteve ekzistuese ai e denoncon gjendjen si të papërshtatshme.”
Dita
Socializmi shteteror dhe mos ndjekja e modelit neolibetal te deshtuar do te kishim nje Shqiperi tjeter dhe shumr me mire ekonomikisht .