Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot se është i gatshëm të vijojë punët e mira në Tiranë nëse qytetarët do t’i besojnë një mandat të tretë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Në një intervistë për Klan News nga sheshi “Italia”, aty ku po zhvillohet një prej paneleve të Kongresit të PS, i pyetur nga gazetarja Klesiana Omeri, Veliaj shtoi se projektet për Kryeqytetin do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
Pyetje: Meqenëse është edhe një ndezje motorësh për zgjedhjet vendore të 2023, a do të kemi një kandidaturë tjetër, një përpjekje tjetër për të kërkuar ju votën e qytetarëve të Tiranës për të qenë në krye të Bashkisë?
Veliaj: Tirana nuk është perfekt, por Tiranës i kanë shkuar punët më mirë këto 7 vite, se sa në epokën e gjumit. Mund të jetë akoma më e pastër dhe na duhet ndihma e të gjithëve. Mund të jetë akoma më e rregullt dhe na duhet ndihma e të gjithëve. Qyteti po rritet në përmasa të jashtëzakonshme. Tirana para 7 vitesh rritej me një numër shumë të vogël banorësh, 4-5-6 mijë. Vjet është rritur me 32 mijë. Do të thotë që Tirana është bërë aq atraktive saqë jo vetëm nga të gjithë cepat e Shqipërisë, sot kemi italianë që jetojnë në Tiranë, sot kemi shumë prej shqiptarëve të rajonit që e kanë patjetër një apartament në Tiranë, të imagjinosh që nuk ka as det. Do të thotë që mjafton të shikosh faktin që Tiranës çdo vit, në 7 vitet e fundit, i është rritur vlera e pronës me 10-15% do të thotë që dhe kundërshtari ynë më i madh vetëm duke ndenjur në shtëpi dhe duke sharë në Facebook është bërë më i pasur.
Pyetje: Kjo është një po, që ju do kandidoni?