Më të zëshmin në procesin e zgjedhjes të presidentit të ri deri më tani janë Edi Rama dhe ish paraardhësi i tij Sali Berisha, ndërkohë ndërkombëtarët paçka se nuk janë shprehur publikisht, po e ndjekim me shumë vëmendje, ndoshta për faktin se edhe ata, kanë një zarf me emra kandidatësh surprizë.
Deri më tani në distancë Rama dhe Berisha pajtohen vetëm në një pikë. Përjashtimi i Lulzim Bashës prej ekuacionit presidencial.
Një pikë që përcillet më shumë me humor, sa me seriozitet në qarqet politke të vendit.
Edi Rama: Lulzim Basha mund të bëhet President i Republikës me votat e kësaj shumice aq sa Sali Berisha mund të fitojë çmimin Oscar me mbështetjen e “Syriqimit.net”.
Berisha: A mundësi mos të bëni shaka? Lëreni se ai e përgënjeshtroi këtë gjë, dhe t’i qëndrojmë asaj, mos të merremi me gjëra të tilla.
Pas 5 vitesh martese me sherr e shamata me Ilir Metën të cilën Rama e quajti “Fatkeqësi Natyrore” busulla orientuese e shumicës është të çuarit në presidencë një figurë e cila se paku, nuk do të përleshet si polic rrugor apo rolin e rojeve te mërzitura në selitë e partive politike.
Edi Rama: Është hera e parë që Partia Socialiste i ka votat për të zgjedhur presidentin dhe nuk varet nga vota të të tjerëve, kështu që edhe përgjegjësia është e jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë një president që të jetë një njeri normal.
Vetë Sali Berisha ka një hall tjetër. Që të jetë ai personi që të pyetet në konsultat presidenciale. Benzinë zjarrit i hedh edhe heshtja ironike e Enkelejd Alibeajt, i cili megjithëse thotë se nuk e ka në axhendë zgjedhjen e presidentit, nuk mohon se nuk ka folur me vendas e të huaj për këtë. Berisha sigurisht nuk është dakort.
Berisha: Partia Demokratike, si opozitë e vërtëtë, nuk pranon asnjë propozim të Edi Ramës.
Por populli thotë “Halli- hallit nuk i ngjan”, dhe Edi Rama ka një hall tjetër. Që edhe Saliu mos mërzitet shumë, nëse ftesa e negociatave i shkon me detyrim përcaktim, jo atij por Alibeajt.
Edi Rama: Ne po bëjmë përpjekje për të komunikuar me të gjitha copat dhe çikat e mundshme, me të cilat mund të komunikojmë se jo me çdo copë në atë Parlament ne kemi ndërmend të komunikojmë. Do komunikojmë me të gjitha copat dhe çikat që përfaqësojnë të gjallët.
Për ters, kryeministrit nuk i erdhi në ndihmë as populli. Në këshillimin publik nuk pati as pyetje as përgjigje për zgjedhjen e presidentit nga populli. Kështu, zoti Rama na la takim për këtë çështje, pas pesë vjetësh.
Edi Rama: Unë personalisht, e thashë, jam kundër për të parën, por jam i hapur për të dytën, që nëse duan njerëzit mund të rishikohet mënyra se si është konstituuar e gjitha por kjo kërkon shumë punë, konsultime dhe shkon përtej vendimmarrjes së qeverisë.
Me rënien e votës së popullit, Rama tani ka kthyer vëmendjen ndaj votës së deputetëve. Votë e fshehte sigurisht përmes zarfeve anonime. Por udhëzimi është i qartë, emrat socialiste nuk janë preferencë e parë. Kështu portreti i presidentit të ardhshëm merr kornizat e para. Një kandidat jo nga e majta, i papërlyer, i pakontestuar nga e djathta, e cila është përjashtuar nga mundësia e propozimit dhe mundësisht i parapëlqyer nga ndërkombëtaret.
Dhe nga ndërkombëtaret mund të vijë një emër, i cili është kaq i njohur, sa shumë vetë mund të habiten që e kanë pasur para syve dhe nuk e kanë kuptuar.
Në ditën e lindjes të Edi Ramës më 4 korrik, vitin e shkuar, ish-zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, sot ambassador i SHBA në Londër, Philip Ricker, trazoi politikën shqiptare.
Reeker vizitoi kryeministrin Edi Rama, ish- kryedemokratin Lulzim Basha, duke krijuar idenë se po sillte në Tiranë dosjen e shumëpërfolur kundër Sali Berishës. Por ndërsa dosjen e nuk e pamë, të gjithë ama pamë, pa kuptuar përse, ndalesën e tij në rezidencën e Princit Leka Zogu.
Fotot e takimit të Philip Ricker me Pricin Leka Zogu, trashëgimtarin e familjes mbretërore shqiptare u shpërndanë rrufeshëm, pasi Ricker mbaroi takimin.
Ishte hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan publikisht takohej me trashëgimtarin e ish-mbretërisë shqiptare, i shkolluar në Angli në akademinë mbretësore Royal Military Academy, Sandhurst, me nota të shkëlqyera.
Princi Leka, apo Leka Zogu xhunior me emrin civil, shpenzoi orë të tëra me zotin Riker dhe ambasadoren Kim. Askush nuk e di se çfarë folën.
Ajo qe dihet është se pas 25 marsit, Leka Zogu mbushi 40 vjeç dhe filloi të jetë super aktiv ne rrjetet sociale. Kështu pinjolli i të djathtës klasike, student i shkëlqyer i Londrës dhe në moshë kushtetuese për tu bërë president, një figure e pastër dhe e papërlyer me të shkuarën e tranzicionit shqiptar, a plotëson të gjitha kushtet për të qenë i pari i vendit, pa interesa politike, ose një mbret me kurore presidenciale? Kush e di se çfarë kanë në kokë, Rama apo amerikanët. Ajo qe dimë të gjithë është se kushdo që do ulet ne karrigen e Ilir Metës, do jetë një figurë shumë më e pranueshme se politikani i fortë i Skraparit./tch/mj