Kryeministri britanik, Boris Johnson ka akuzuar Vladimir Putinin për krime lufte dhe ka njoftuar se vendi i tij do të dërgojë edhe 100 milionë funte të tjera ndihmë ushtarake, përfshirë raketa antitank.
Kryeministri dhe Olaf Scholz, kancelari gjerman, përdorën një konferencë shtypi në Doëning Street për të akuzuar drejtpërdrejt Putinin për kryerjen e krimeve të luftës.
Johnson tha se udhëheqësit ndanin “të njëjtën ndjenjë tmerri dhe neverie” në sulmin në një stacion hekurudhor në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, i cili la të paktën 50 njerëz të vdekur .
Ai shtoi se “tregon thellësitë në të cilat ishte zhytur ushtria dikur e lavdëruar e Putinit”.
Scholz tha: “Vrasja e civilëve është një krim lufte. Presidenti rus mban përgjegjësi për krimet e luftës. Boris Johnson dhe unë ndajmë këtë vlerësim.”
I pyetur për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, Johnson tha se Putin tashmë e ka përshkallëzuar atë duke synuar civilët e pafajshëm.
Ai tha: “Ai tashmë ka bërë masakër sistematike mbi njerëzit e pafajshëm. Ajo që ne po shikojmë tani është të gjejmë mënyra për të mbështetur miqtë dhe partnerët që duan të dërgojnë lloje të tjera pajisjesh që mund të jenë të dobishme për ukrainasit.”
Ai sugjeroi se disa nga pajisjet ushtarake të NATO-s nuk do të ishin të dobishme për Ukrainën, duke sugjeruar se fokusi duhet të jetë në pajisjet që janë “vërtetë të dobishme” për forcat e Kievit.
Ai kritikoi bisedimet midis Emmanuel Macron, presidentit francez dhe Putinit. “Negocimi me Putinin nuk më duket të jetë plot premtime,” tha ai. “Nuk mendoj se mund t’i besohet. Unë jam thellësisht, thellësisht skeptik – kam frikë cinik tani – në lidhje me sigurimet e tij.”
Johnson tha se Gjermania ka një “varësi masive” nga nafta dhe gazi rus, por “po largohet shumë, shumë shpejt”. Scholz tha se nuk është “aq e lehtë” të reduktohet varësia e Gjermanisë, por tha se po ndërton infrastrukturën për alternativa, duke përfshirë terminalet për importet e gazit të lëngshëm kombëtar dhe rritjen e energjisë së erës./m.j