Ende nuk ka një autor të identifikuar apo kapur për vrasjen e Iljaz Çalit, të dielën.
Autoritetet s’kanë gjetur asnjë gjurmë të mjetit nga i cili doli breshëria e kallashnikovit që i mori jetën 38-vjeçarit në mbikalimin e Rinasit.
Megjithatë janë zbuluar detaje të reja të lëvizjeve të fundit të viktimës. Pasi është ndarë nga vëllai ku është takuar për kafe me të, është takuar me një person tjetër. Referuar të dhënave konfidenciale mësohet se të dhënat për këtë person kanë dalë nga këqyrja e tabulateve telefonike të Iljaz Çalit, por ende Policia nuk e ka marrë atë person në pyetje.
Nga hetimet nuk është zbuluar ende se kë ka takuar dhe në çfarë vendi, por bëhet me dije se në drejtim të Rrugës së Elbasanit, viktima ka shkuar konkretisht për të takuar atë person.
Sipas të dhënave të grupit hetimor, ka qenë vetë vëllai i tij, Zeqir Çali, i cili ka thënë se përgjatë kohës që ka qenë në lokal me vëllain binte shpesh telefoni, por vëllai nuk e ka pyetur Iljazin se kush ishte.
Sapo ata janë ndarë me njëri-tjetrin, Iljazi i ka thënë të vëllait se do të nisej në drejtim të shtëpisë, por që në fakt ka marrë Rrugën e Elbasanit.
Policia nuk bën me dije se kush është ky person dhe ende nuk dihet nëse ai është marrë në pyetje për të dëshmuar në lidhje me momentet e fundit të takimit me viktimën.
/b.h