Nga Auron Tare
Duhet kujtuar jo vetëm si një ditë kur Il Duce pushtoi një vend të vogël si Shqipëria, por si një nga ditët më të zeza të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Një mësim se si e gjithë hierarkia ushtarake hodhi pushkët dhe ia mbathi nga fronti i luftës, duke sjellë një faqe turpi për ushtrinë. Kjo datë, së bashku me 1997-ën, janë dy ditët kur shqiptarët panë me sytë e tyre se përtej pompozitetit, gradave dhe spaletave plot shkëlqim, ushtria që ishte krijuar me aq sakrifica, ishte një dru i kalbur nga korrupsioni dhe paaftësia e politikës shqiptare. Ushtria është pulsi i një kombi dhe këto dy data treguan se shteti i shqiptareve është totalisht i paaftë të mbajë në këmbë një ushtri. Po kjo jo për faj të qindra ushtarakëve që sakrifikuan për ushtrinë, por për politikën servile, të paaftë dhe antikombëtare, që e shkatërroi ushtrinë. Prandaj, përtej një date të pushtimit fashist, 7 prilli është edhe data e një reflektimi të thellë mbi kalbëzimin dhe rrënimin e ushtrisë.
Por ky reflektim sjell në vëmendje momente të rëndësishme historike kur ushtarakët shqiptarë, nën flamujt e shteteve të forta të kohës, kanë lënë gjurmë të thella në historinë europiane. Si dy historitë e mëposhtme, për të kuptuar se aftësitë e ushtarakëve shqiptarë nuk kanë munguar kurrë. Ajo që ka munguar është një shtet shqiptar me të gjithë kuptimin e vërtetë.
NË 25 QERSHOR 1799, BETEJA E ABUKIRKIT
Shqiptari Said Mustafa Pasha, një gjeneral me eksperiencë i frontit ruso-turk, zbarkon në brigjet e Abukirk, qytezë pranë Aleksandrisë. Përballë tij, trupat e gjeneralit të ri francez Napoleon Bonaparte, i cili i frymëzuar nga historia e Aleksandrit të madh ëndërronte për një fushatë nga Egjipti drejt Indisë. Francezët kishin disa muaj që po përparonin në territorin otoman të Egjiptit dhe otomanët, në aleancë me britanikët, kërkonin të ndërprisnin fushatën e Napolonit, i cili kërcënonte rrugët tregtare drejt Indisë. Me ndihmën e anijeve britanike të admiralit Sidney Smith, repartet otomane, ndër të tjera, shumë shqiptarë nga vilajeti i Janinës, vendosën kampin në bregdetin e Abukirk. Me të zbarkuar nga anijet, repartet otomane sulmuan fortifikimet e portit dhe morën me sulm fortesën e mbrojtur nga francezët. Flamuri otoman u ngrit përsëri mbi të, duke ulur flamurin frëng.
Krenar për këtë sukses, Mustafa Pasha nuk po nxitonte të marshonte drejt Kajros për t’i shtyrë francezët nga qyteti dhe nga territori egjiptian. Ky hezitim i gjeneralit Arnaut i kushtoi atij betejën, pasi Napoleoni, duke parë që trupat e Mustafait ishin pozicionuar me shpinë nga deti, sulmoi duke thyer linjën e parë të mbrojtjes. Francezët hasën në një mbrojtje shumë të fortë nga trupat arnaute në linjën e dytë, ku vetë Mustafa Pasha ishte në krye të tyre. Francezët u tërhoqën duke lenë shumë të vrarë, por gjenerali i Kavalerisë, Murati i Famshëm, duke parë një të çarë në radhët e arnautëve, sulmoi furishëm dhe e mori linjën e dytë. Murati dhe Mustafa Pasha u përballen me njëri-tjetrin dhe gjenerali francez me shpatë i preu disa gishta të dorës Pashës, ndërsa Arnaut Pasha me kobure e plagosi Muratin në nofull. I ndjekur nga kalorësit e tij, Murati i plagosur u hoq nga fushëbeteja, por Mustafa Pasha, edhe ai i plagosur, u kap rob nga francezët. Napoleoni e mori Abukirk dhe fama e kësaj beteje rrodhi në sallonet e Parisit, duke i dhënë Gjeneralit Napoleon një popullaritet të madh.
Fama e Betejës së Abukirk hyri në analet e fitoreve të Napoleonit si një ndër fitoret e rëndësishme të tij ne Fushatën e Orientit, por jo vetëm: në Harkun e Triumfit në PARIS vizitorët mund të shikojnë një dedikim të kësaj beteje dhe, në respekt të trimërisë së gjeneralit shqiptar, portretin e Mustafa Pasha Arnautit, fama e të cilit u eklipsua vetëm nga i nipi i tij. Pushtuesi dhe themeluesi i Egjiptit modern, Muhamed Ali Pasha, shqiptari i famshëm nga Jugu i Shqipërisë.
Sipas François Furet dhe Denis Richet (“Revolucioni Francez”, Beteja e Rosetës, 21 mars 1807) Napoleoni, me të marrë vesh trazirat politike në Francë, u largua me shpejtësi nga Egjipti, duke i lëne trupat franceze në përballje me britanikët dhe aleatët e tyre otomanë. Pas pak muajsh, Napoleoni e braktisi ëndrrën e tij lindore dhe filloi një seri betejash ndaj fuqive europiane. Ndërkohë, Egjipti pas largimit të francezëve ra nën një Luftë Civile, ku britanikë që kërkonin një bazë të rëndësishme drejt Lindjes e nxisnin atë fshehurazi. Por qëllimet e tyre u penguan nga ambiciet e një tjetër shqiptari, i cili jo vetëm kishte zbarkuar ne Egjipt vetëm me repartet e shqiptarëve të mbledhur me shpejtësi në Jugun e vendit, por kërkonte të vendoste sundimin e tij atje ku i ungji nuk ia kishte dalë dot. Një burrë i pjekur por i paprovuar në beteja frontale, ai komandonte rreth 2000 shqiptarë dhe, përveç shqipes, nuk dinte asnjë gjuhë tjetër. Nga shkrimet e konsullit të përgjithshëm francez në Egjipt, Bernandino Drovetti, mësojmë se Muhamedi, me të mbërritur, filloi një fushatë sulmesh ndaj bejlerëve që sundonin provincat egjiptiane dhe për të mbrojtur krahët, la në Aleksandri garnizonin vetëm me shqiptarë. Brenda dy viteve, ai po e shtrinte sundimin e tij kudo në hapësirat egjiptiane.
Nën komandën e gjeneral MackenzieFraser, flota britanike filloi një zbarkim në Egjipt për t’i dhënë fund sundimit të Muhamed Aliut dhe për të marrë nën kontroll vendin, sidomos vijën bregdetare.
Britanikët filluan sulmin në rrethinat e Aleksandrisë dhe, duke marrë me sulm llogoret përqark fortesës, përparuan në thellësi. Por në vendin e quajtur me emrin antik si Shtyllat e Pompeut, britanikët hasën në një qëndrese shumë të fortë, duke lënë të vrarë dhe të plagosur. Britaniket tërhiqen nga fusha e betejës për të riparë planet e tyre. Ndërkohë, një pjese e flotës nën komandën e Sir John Thomas Duckworth dhe flamurmbajtësen britanike MHS Royal George mbërriti në ujërat e Aleksandrisë, për të mbështetur zbarkimin. Muhamd Aliu, duke parë rrezikun që sillte një zbarkimi britanik në Egjipt, ndaloi operacionet ndëshkimore dhe, pasi bëri një aleancë të shpejtë me trupat vendase, iu drejtua fushës së betejës.
Kishte vetëm pak vjet që shqiptari kishte vendosur sundimin e tij dhe britanikët shpresonin se me politikën e tyre teë njohur “përça dhe sundo” do të mund të ngrinin një pjesë të mamlukeve kundër tij. Për këtë, ata nënshkruan një marrëveshje me Muhamed Beun, liderin e mamlukeve, me shpresën se trupat e tij do të sulmonin Muhamed Pashën në shpinë.
Gjeneral Aleksander Mackenzie Fraser, komandanti i përgjithshëm i trupave britanikë, nga kuarteti i tij në Aleksandri, vendosi të dërgonte një pjesë të trupave të tij në Al Rashid (fshati Roseta) për të kontrolluar pikën e furnizimeve të ushtrisë së Muhamed Aliut në Aleksandri. Por kjo pararojë britanike u prit me luftë nga trupat e Muhamed Aliut, të cilët ishin nën komandën e një tjetër shqiptari, Ali Beu i Selanikut. Pasi largoi popullatën civile, Ali Bej Selaniku hapi portat e qytetit për t’u dhënë përshtypjen britanikëve të lodhur nga marshimi në shkretëtirë se qyteti ishte braktisur nga mbrojtësit e tij. Britanikët u futën në qytet dhe, pasi e gjetën atë të braktisur, u ulën të çlodheshin nga marshimi rraskapitës. Ishte ky moment që shqiptarët e Muhamed Aliut filluan një sulm të tmerrshëm nga çatitë dhe dritaret e godinave që rrethonin qendrën e qytetit. 185 të vrarë, 282 të plagosur dhe 120 robër.
Kjo betejë vendimtare dhe beteja e Al Hammad që e pasoi atë midis Muahed Aliut dhe gjeneral Fraser, ua bëri të qartë britanikëve se kundërshtari i tyre, shqiptari Muhamed Ali Pasha, ishte i pathyeshëm. Pas një qëndrimi në Aleksandri disa javë dhe pas dorëzimi të robërve nga ana e Muhamed Aliut si një gjest kalorësiak ndaj të mundurve në fushën e betejës, trupat britanikë u evakuuan nga brigjet egjiptiane duke hapur kështu epokën më të ndritur në historinë modern të Egjiptit. Epokën e Muhamed Ali Pashë shqiptarit!