Nën drejtimin e Sali Berishës, Komisioni i Rithemelimit po zhvillon një mbledhje në selinë e Partisë Demokratike, ku në fokus të takimit do të jetë riorganizimi që po bën Komisioni i Rithemelimit, në bazë dhe zgjedhjen e strukturave të reja vendore, nga anëtarët e kryesisë së degëve, deri te kryetarët e tyre.
Edhe pse Sali Berisha e quan të kryer faktin se ai ka marrë në dorë Partinë Demokratike pasi ka një vendim gjykate, Shtete e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion, nuk mendojnë kështu.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim, një ditë më parë, u takua me kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, të cilin e ka quajtur si ‘kryetari në detyrë i PD’, duke mos njohur kështu Komisionin e Rithemelimit si drejtues të PD.
Pas mbledhjes Berisha doli në një konferencë për mediat, u pyet pikërisht për qëndrimin e Kim dhe nëse rrezikon PD të shpallet non grata me atë në krye. Berisha tha se askush përveç anëtarëve të partisë nuk ka tjetër tagër të caktojë kryetarin e PD, duke iu referuar diplomates amerikane.
“Një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës në sovranitetin e një force të lirë politike. E përsëris publikisht këtu se kurrë, as kryetarin dhe as Kryesinë, askush nuk do ta përcaktojë përveç anëtarëve të PD”, tha Berisha.
/b.h