Instituti Shëndetit Publik konfirmoi zyrtarisht të martën prezencën e varianteve BA1 të Omikron dhe BA2 në vendin tonë. Njoftimi i ISHP erdhi pas marrjes së përgjigjes së analizave nga laboratori i referencës në Gjermani.
E ftuar në Abc Live, epidemiologia e Institutit të Shëndetit Publik Rovena Daja thotë se variantet e reja janë më të transmetueshme por, edhe shkaktojnë forma të lehta të sëmundjes. Sipas epidemiologes, rrallë ndodh që variantet e reja të jenë më të rënda sesa forma e parë e virusit.
Daja tha se momentalisht Shqipëria ndodhet në një situatë të qetë epidemiologjike, por shtoi se vigjilenca nuk duhet ulur se dhe është pikërisht momenti kur duhet të rritet vaksinimi.
“Sipas të dhënave, kemi 45% të popullsisë të vaksinuar me dy doza, kurse me dozën e tretë përqindja është me e ulët. Të vaksinohen ata që nuk janë vaksinuarve asnjëherë. Kjo mund të quhet pandemia e të pavaksinuarve.”
Epidemiologia shpjegoi se Covid-19 do të na shoqërojë gjatë, por në formë të lehtë. Sipas saj, rritje të rasteve mund të kemi në vjeshtë, në shtator-tetor kur do të qarkullojë edhe gripi. Ndërkohë, pritet që të prodhohet edhe një vaksinë që mund të jetë efektive për të gjitha variantet e virusit.
g.kosovari