Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se lufta ruse në Ukrainë gjendet në një fazë vendimtare.
Në takimin e kësaj të mërkure, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare do të vendosin që të rrisin mbështetjen ndaj Ukrainës, duke përfshirë sigurimin e armëve antitank, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe pajisje të tjera, si dhe rritjen e ndihmës humanitare dhe financiare.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PERGJITHSHEM, NATO
“Moska nuk heq dorë nga ambiciet e saj në Ukrainë. Tani shohim një lëvizje të konsiderueshme të trupave larg Kievit, për t’u rigrupuar, riarmatosur dhe rifurnizuar. Në javët e ardhshme presim zhvendosje të mëtejshme ruse në Ukrainën lindore dhe atë jugore, duke u përpjekur të marrë të gjithë Donbasin për të krijuar një rrugë tokësore drejt Krimesë së aneksuar. Prandaj kjo mund të quhet një fazë vendimtare e luftës.”
Shefi i bllokut ushtarak shtoi më tej se kjo është sfida më e madhe e sigurisë në dekada ndërsa përgjegjësit për vrasjen e civilëve, duhet të përballen me drejtësinë.
“Ky është një brutalitet mizor të cilin Evropa nuk e ka parë që nga lufta e dytë botërore. Vrasja e civilëve është një krim lufte. Të gjitha faktet duhet të vërtetohen dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për këto mizori duhet të sillen para drejtësisë Aleatët e NATO-s po mbështesin hetimet e ndërmarra nga organizata e kombeve të bashkuara dhe gjykata ndërkombëtare e krimeve të luftës.”
Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë gjithashtu zhvillimin e Konceptit të ardhshëm Strategjik të NATO-s, për të udhëhequr përshtatjen e Aleancës me realitetin e ri të sigurisë globale.
/a.r