3 vrasës me pagesë u arrestuan në flagrancë nga policia e shtetit, pasi ishin përgatitur për të ekzekutuar një të ri në fshatin Manëz në Durrës. Shtetasit Gazmend Dervishi, 38 vjeç, Dritan Nikolli, 38 vjeç dhe Bruno Shehu, 31 vjeçar, janë arrestuar nga departamenti i Krimeve të Rënda, pas një jave survejimi të të dyshuarve.
Sipas raportimit zyrtar të Policisë së shtetit, një konflikt i armatosur mes grupeve kriminale në trafikun e lëndëve narkotike, ka qenë edhe shkaku i pregatitjes së 3 atentatorëve, të cilëve i janë sekuestruar një arsenal armësh si dhe një sasi prej 10 mijë eurosh.
Bruno Shehu raportohet se është pjesë e bandës famëkeqe të Ilir Xhakjes, i cili është dënuar për vrasjen e komisarit të Policisë, Adem Tahiri.
“Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, Policia e Shijakut ka evidentuar në afërsi të Fabrikës së Tullave në Maminas mjetin tip Benz, me xhama të zinj dhe targa gjermane, dhe është vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i mjetit, Gazmend Dervishi, nuk i është përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi së bashku me Dritan Nikollën, i dënuar më parë për vrasje dhe Bruno Shehun, i cili ndodhej në mjet. Ndjekja ka vijuar për rreth gjysmë ore dhe në fund u bë e mundur kapja e tre shtetasve, të njohur si persona me rrezikshmëri të lartë kriminale dhe me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, bën të ditur Policia e Qarkut Durrës.
Ndërkaq, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip Benz dhe në banesat e të arrestuarve në Durrës e Sukth u gjetën dhe sekuestruan një automatik model 56, një pistoletë me mulli, dy krehëra me 60 fishekë, dy kapuça-maskë, doreza, 2 shishe me benzinë dhe 2 celularë.
Drejtoria e Policisë Durrës deklaroi se të arrestuarit ishin nisur për të kryer një krim pas një konflikti të nisur midis dy grupeve kriminale për prishje të pazareve në fushën e lëndëve narkotike.
Të arrestuarit kishin planifikuar që pasi të kryenin aktin kriminal do të digjnin makinën me dy shishet e benzinës dhe do të largoheshin me një automjet tjetër. Për arsye hetimi, blutë e qytetit bregdetar nuk japin më shumë detaje mbi objektin e sulmit dhe personat e përfshirë, ndërkohë që ka nisur hetimi për vepren penale “vrasje e mbetur në tentativë”.