I ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në “Dritare TV”, studiuesi dhe albanologu i njohur Mark Palnikaj ka folur për zbulimin dhe studimin e dokumenteve të vjetra shqipe, përmes të cilave ka gjetur prurje të reja për gjuhën shqipe dhe ka realizuar mjaft shkrime e libra në lëmin e historiografisë.
Mark Palnikaj është një nga studiuesit më të zellshëm të dokumenteve të hershme shqipe, në arkivat e Vatikanit, Venecias, Napolit.
Studiuesi Mark Palnikaj ka zbuluar një sërë dokumente në gjuhën shqipe por edhe në gjuhë të huaj, në arkivat e bibliotekave perëndimore, dokumente të cilat plotësojnë thesarin e historisë shqiptare të mesjetës.
“Unë me këto dokumente dua të zbuloj të plotë historikun e shkrimit të gjuhës shqipe. Objekt i studimeve të mija, në arkivat italiane dhe austriake, ka qenë historia e Shqipërisë, nga mesjeta deri në ditët e sotme.
Dokumentet, në masën më të madhe, janë të shkruara me dorë dhe në gjuhë të huaj, por vazhdimisht kam gjetur edhe shkrime në gjuhën shqipe.
Nga fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek.XX, shkrime në gjuhën shqipe gjenden me shumicë në këto arkiva.
Të rëndësishme janë shkrimet nga shek.XV deri XIX, të cilat janë në numër më të pakët, por ka vazhdimësi në shkrimet shqipe gjatë gjithë këtyre shekujve.”, u shpreh studiuesi dhe albanologu i njohur Mark Palnikaj./m.j