Sali Berisha vazhdon t’i fryjë konspiracionit sa i përket vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” si të korruptuar dhe minues të demokracisë.
Në nje intervistë të fundit për A2CNN, ish kryetari i PD le të hapur mundësinë se Departamenti Amerikan i Shtetit sipas tij mund ta ndryshojë qëndrimin.
Për këtë, Berisha ka hequr një paralele krahasimore jo me individë të shpallur “non grata” si ai por me individë të cilëve thjesht u është rrefuzuar viza për të vizituar atë vend.
Një rast i tillë është lideri indian Narendra Modi të cilin Berisha e sjell si shembull krahasimi.
“Në këtë situatë, është ndodhur kryeministri aktual i Indisë. Ishte i shpallur non-grata por që u prit më vonë në një darkë madhështore zyrtare nga presidenti Barack Obama”, tha Berisha.
Berisha, duke folur për shpalljen non-grata nga SHBA, tha se do të ketë kosto vetëm për ata që besojnë trillimet dhe gënjeshtrat.
Në një intervistë për A2 CNN, Berisha mori shembull kryeministrin aktual të Indisë, për të cilin tha se ka qenë i shpallur non-grata.
“Nga marrëdhënie pothuajse inekzistente me SHBA-në, apo me vende të tjera, u arrit në marrëdhënie kulmore. Jo se unë kisha ndonjë fuqi të madh magjike. U arrit në një marrëdhënie kulmore sepse partnerët vlerësuan reformat e qeverisë shqiptare.
Unë qëndroj pas vlerave, parimeve dhe reformave që i bëjnë shqiptarët më të lirë, më të sigurt. Në këtë situatë, është ndodhur kryeministri aktual i Indisë. Ishte i shpallur non-grata por që u prit më vonë në një darkë madhështore zyrtare nga presidenti Barack Obama.
Shqipëria nuk është India dhe unë nuk po them se do pritem me një darkë madhështore në Shtëpinë e Bardhë.
Kam besim të plotë se një akuzë e ngritur mbi shpifjen dhe trillimin, sado që përpiqen ta rëndojnë, do shkojnë drejt dështimit. Vendi i Shqipërisë do jetë aty ku ajo meriton në bazë të arritjeve të saj. Kjo është përgjigja ime.
Kjo përbën kosto për të gjithë ata që janë të prirur të besojnë gënjeshtrën, të delegojnë ndërgjegjen apo arsyen e tyre. Por të tjerët që insistojnë në fakte, dokumente e prova, kjo përbën mbështetje për mua.
Çdo njeri në çdo pozicion duhet të qëndrojë për dinjitetin e tij. Nëse ndjekim këto zhvillime, ato këtë kanë provuar” – tha Berisha./m.j