Anëtari i Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Anastas Angjeli, tha të hënën se lufta e papritur në zemër të Europës po shoqërohet me tronditje të tregjeve financiare që shoqërohet me efekte psikologjike.
“Nga një luftë e tillë në Europë, efekti psikologjik është i jashtëzakonshëm që ka ndikim në fushën monetare. Në kushte lufte padyshim që tronditen tregjet financiare, monetare, bursat e mallrave dhe monedha e euros. Banka e Shqipërisë mund të nderhyjë për stabilitetin financiar pasi i ka instrumentat kur ka efekte psikologjike në tronditje të euros. Në situatë të vështirë krizash është edhe menaxhimi i rezervës valutore të vendit dhe në këtë situatë unë mendoj që BSH ka patur një politikë në të njëjtën vijë sjellje me Federal Reserve dhe Bankën Qendrore Evropiane” – tha Anastas Angjeli për’ Kontrast’ në Report TV.
Ndërkohë që analisti Lorenc Vangjeli pati një replikë për të shpjeguar efektin psikologjik prej parave në raste krizash.
“Paraja është po aq kapriçoze sa një dashuri adoleshentësh. Qan e qesh shpesh pa asnjë arsye. Ose për të përmbledhur, qan për arsye psikologjike” – tha ai.