Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi priti në një takim të veçantë ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, z. Mario Banožić. Vizita zhvillohet në një moment të shënuar për të dy vendet, të cilat festuan 13 vjetorin e anëtarësimit në NATO. Dy ministrat zhvilluan fillimisht një bisedë “tête-à-tête” dhe më pas një takim mes dy delegacioneve. Në qendër të diskutimeve ishin raportet shumë të mira mes dy vendeve, kontributi i tyre në kuadër të Aleancës si dhe situata e krijuar në të gjithë botën nga agresioni rus në Ukrainë.
Në konferencën e përbashkët për mediat, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi tha se: “Pushtimi ushtarak rus i Ukrainës është një agresion i qartë, një luftë e paligjshme dhe kriminale kundër një vendi sovran. Shqipëria e ka dënuar menjëherë këtë akt të paprovokuar agresioni, duke dhënë kontribut të dorës së parë në fushën e diplomacisë (nga OSBE, NATO në Këshillin e Sigurimit të OKB-së si anëtare e përkohshme), por edhe ndihmë konkrete ushtarake”.
Të dy vendet, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia kanë mbajtur të njëjtin qëndrim në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.
Ministri Peleshi theksoi se: “Situata në Ukrainë na dha një mësim të madh. Hezitimi për të zbatuar me vendosmëri “politikën e dyerve të hapura”, hezitimi për të pranuar vendet që duan të përqafojnë vlerat perëndimore, në NATO dhe BE është një gabim i madh. Ne duhet të ngremë zërin që të tjerët të kuptojnë rëndësinë e integrimit euroatlantik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Në këtë pikë, ministri Peleshi nënvizoi rëndësinë që ka mbështetja e Kosovës në aspiratat e saj kundrejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e paqes dhe sigurisë. Ministri Peleshi vuri në dukje faktin që anëtarët e Forcave të Armatosura të dy vendeve operojnë përsëri krah njëri-tjetrit në Kosovë.
Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, z. Mario Banožić, falenderoi për mikpritjen ministrin Peleshi si dhe shprehu mbështetjen e pakursyer të vendit të tij në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministri Banožić theksoi rëndësinë e Aleancës së NATO-s, veçanërisht në sfidat e sigurisë me të cilat përballet sot Evropa, por edhe globi. “Situata aktuale tregon edhe një herë se anëtarësimi euroatlantik është jetik për vendet e rajonit tonë. Shpreh mbështetjen time të fortë për Republikën e Shqipërisë në anëtarësimin sa më të shpejtë të saj në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri i Mbrojtjes së Kroacisë.
Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel dypalësh, kryesisht përmes edukimit dhe trajnimit, si dhe angazhimit të mëtejshëm të forcave të armatosura në operacionet e udhëhequra nga NATO./m.j