Nuk po ndodh ribashkim i PD-së por po anashkalohet e nxirret në rrugë pala tjetër që nuk i përket komisionit të rithemelimit, duke i prerë të gjithë rrugët e mënyrat e komunikimit që të degdiset në rrugën e vet, pa asnjë element që çon në bashkimin e palëve. Kështu e shikon analisti Plator Nesturi situatën në partinë Demokratike nisur edhe nga zhvillimet e fundit dhe qëndrimet në lidhje me kreun e grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj.
Në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, Nesturi theksoi se PD ka dy palë, ndërkohë që Rithemelimi krijon idenë që partia u përket atyre dhe të tjerët janë individë që duhet t’u bashkohen.
“Përtej personazheve ajo që është ende e paqartë në PD është fakti nëse kemi dy palë, a kemi dy grupe apo çfarë ndodh? Dhe kjo jo vetëm me deklaratën e Berishës në Shkodër apo me deklaratat e Bashës kur bën ndonjë takim. Kjo është përtej kësaj e përtej këtyre dy personazheve. Realisht kemi të bëjmë me dy pjesë që deri në zgjedhjet e 6 marsit ishin në përplasje të vazhdueshme me njëra- tjetrën. Edhe qëndrimi ndaj Alibeajt ka qenë i tillë që quhet i shkarkuar nga Kuvendi i datës 11 dhjetor, ndërkohë që ai nuk mund të bëjë ankimim në gjykatë apo të përfaqësojë PD në bisedime në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri. Nga Rithemelimi duan të krijojnë idenë që e kanë ata partinë dhe ta heqin nga fjalori politik sikur kemi të bëjmë me një palë tjetër. Sipas tyre ata janë grupi, kurse të tjerët janë individë. Ky lloj diskursi nuk çon në pozitivitet në atë që quhet ribashkim i demokratëve”.
Më e ashpër në qëndrimin e saj analistja Edlira Gjoni thekson se PD nuk ka alternativë tjetër veç bashkimit, por kjo rrugë sipas saj është shumë e gjatë dhe nuk shpreson që kjo forcë politike të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme.
“PD nuk ka alternativë tjetër veç bashkimit, nëse do të vijë në pushtet ky është kusht, por se kur do të ndodhë. Nuk besoj që do të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme se dëmi në elektorat është shumë i thellë. Asnjëherë PD nuk vjen në pushtet vetëm me votat e saj por i duhet edhe elektorati gri. Dallimi i PD me PS është te votat fikse. Patjetër duhet elektorat në gjendjen që është nuk e arrin dot këtë. Unë shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme të kenë hedhur hapin e parë drejt zgjedhjeve të tjera, por në këtë mënyrë si po shkon fragmentizimi i PD, që tani është qesharak dhe i lidhur me interesat e palëve do të jetë një rrugë e gjatë”.
Ajo se Berisha duhet të dorëhiqet dhe ta lërë PD në dorë të një pasuesi që do të mbledhë të gjitha votat e ndara për të ardhur në pushtet.
“Nëse Berisha e do PD këtë hap duhet ta bëjë. Pas gjithë kësaj që bëri duhet të bëjë një dorëheqje aq klasike ta tejkalojë edhe Ramën dhe ta vendosë PD në dorën e një pasuesi që ta bënin të aftë të grumbullonte votat e ndara në katërsh, dhe mali që duhet të ngjisin është vota gri, që nuk ka gjasa të mblidhet sot as me Berishën se është e njëjta çorbë. Berisha nëse e do PD duhet të ikë”.
Në të njëjtën linjë edhe Nesturi thekson se Berisha po mban peng të ardhmen e PD dhe nuk ka një forcë të re politike që të plotësojë këtë boshllëk që ka krijuar PD.
“Si Basha dhe Berisha po mbanim njëri-tjetrit dhe kjo ka ndërprerë procesin evolutiv të PD që duhet të prodhojë ide e mesazhe të reja e frymëzim të ri që nuk shihet, as me Bashën as me Berishën. Ne presim që gara në PD kushdo të garojë firon Berisha. Presim zgjedhjet e ardhshme, në rast se humbet lokalet, presim që të japë dorëheqjen Berisha dhe i gjithë ky proces është kohë e humbur për PD. Po e mban peng të ardhmen. Nuk ka një forcë të re politike që të plotësojë këtë boshllëk që ka krijuar PD.
/b.h