Frank-Walter Steinmeier ka pranuar për herë të parë gabimet e tij personale në politikat gjermane ndaj Rusisë. Këtë të hënën Steinmeier e ka kthyer heshtjen dhe ka deklaruar se këmbëngulja e tij në realizimin e gazsjellësit Nord Stream 2 ka qenë qartazi gabim.
“Këmbëngulja ime në realizimin e gazsjellësit Nord Stream 2 ka qenë qartazi gabim. Ne i kam mbajtur urat në të cilat Rusia nuk besonte më dhe për të cilat na kanë paralajmëruar partnerët tanë”.
Një vit pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, më 2015 qeveria gjermane miratoi fillimin e punimeve në gazsjellësin Nord Stream 2, i cili anashkalon Ukrainën.
Qeveria ishte treguar e shurdhur ndaj kritikëve, të cilët thoshin se kështu Gjermania po bëhej e varur nga furnizimi me gaz nga Rusia. Tek dy ditë para agresionit rus kundër Ukrainës Gjermania e stopoi projektin Nord Stream 2. Gazsjellësi është ndërtuar, por me gjasë do të hyjë në histori si arkeologji industriale, pa u përdorur kurrë. Ish-kancelari Schröder është shef i bordit drejtues të Nord Stream 2 AG, i cili plotësisht i takon Gazpromit rus.
Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, të cilën presidenti rus po e udhëheq, Steinmeier tha: “Vlerësimi im ka qenë se Vladimir Putini nuk do të rrezikojë rrënimin komplet ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për shkak të çmendurisë së tij imperiale – këtu unë, si të tjerët, jam mashtruar”.
Tani, shtoi Stienmeier, duhet të bëj “një bilanc të hidhur”: “Kemi dështuar në ndërtimin e një shtëpie të përbashkët europiane duke përfshirë Rusinë. Kemi dështuar me qasjen e përfshirjes së Rusisë në një arkitekturë të përbashkët të sigurisë”. Për presidentin gjerman tani është e qartë se me Rusinë nën udhëheqjen e Putinit nuk do të ketë kthim në status quonë e paraluftës./m.j