Një Premier League, dy “FA Cup”, një titull sovjetik dhe shtatë ukrainas. Vitrina e Oleh Lužnyj është një nga më të rëndësishmet. Karriera e tij duhet të ndahet mes Dynamo Kievit, së bashku me Shevchenkon, dhe Arsenalin e Arsene Wengerit. Ish-mbrojtësi i krahut, i lindur në Lviv në vitin 1968, mbetet një nga pikat referuese në futbollin ukrainas.
Pas kaq betejash të zhvilluara në fushë, nëse do t’i kishin thënë se pothuajse në moshën 54-vjeçare do t’i duhej të merrte pushkën dhe të gjendej në një luftë të vërtetë, mbase do të kishte qeshur. Por, meqë fati i kishte përgatitur një surprizë të hidhur, Lužnyj nuk u kursye.
Në të vërtetë, në një video-lidhje ai ka treguar për “Sky Sports” se si janë gjërat në Kiev, ku ndodhet aktualisht: “Situata në Ukrainë për momentin është shumë e ndërlikuar dhe e rrezikshme për shkak të fqinjëve tanë. Rusët kanë shkatërruar shtëpi, rrugë, qendra biznesi.
Ndonjëherë raketat hidhen dy ose tri herë në ditë, madje edhe gjatë natës, kështu që situata është e rrezikshme. Sidoqoftë, ishte një vendim i thjeshtë të kthehesha këtu. E dua vendin tim dhe dua të luftoj me miqtë e mi për ta mbrojtur atë, siç duhet të bëjnë të gjithë.
Ne jemi një grup prej pesë ose gjashtë personash, plus disa policë, kemi një zonë për ta ruajtur për 12 orë çdo dy ose tri ditë. Qartësisht situata është e ndërlikuar, por unë jam mirë. Vendi ynë është dëmtuar. Këtu në Kiev jo shumë, por në vende si Mariupol lufta është shumë më e ashpër”.
Një zgjedhje e ndarë nga e gjithë familja: “Gruaja ime është këtu me mua, fëmijët kanë punët e tyre dhe janë gjetkë. Të gjithë miqtë e mi kanë qëndruar për të luftuar, askush nuk ka ikur. Nuk e di kur do ta shoh përsëri pjesën tjetër të familjes sime.
Ndoshta kur të mbarojë lufta dhe të kemi fituar do të bëjmë një festë të madhe. Nuk e di nëse do të vijë paqja shpejt, situata është e pakontrollueshme dhe askush nuk e di se çfarë ka në mendje Putini”.
/a.r