Zgjedhjet presidenciale të mbajtura të dielën në Serbi duket se i kanë dhënë një tjetër mandat në krye të vendit Aleksandër Vuçiç. Rezultatet e para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve e nxjerrin Vuçiç fitues me mbi 70% të votave.
Sfiduesi kryesor i Vuçiçit në këto zgjedhje, ish-shefi i ushtrisë Zdravko Ponosh, një gjeneral në pension, pro Bashkimit Evropian dhe që përfaqësonte kampin opozitar ndodhet ende në kufirin e 10% të votave.
Gjithsesi ka ende shumë vota për t’u numëruar, por Vuçiç nuk pritet të vërë në rrezik fitoren. Paralelisht u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare ku sërish partia e Vuçiç pritet të marrë shumicën në parlament.
5 vjet pasi fitoi mandatin e parë si president, Vuçiç vazhdon të jetë faktor dominues në Serbi.
Në këto zgjedhje morën pjesë edhe partitë shqiptare të luginës së Preshevës të cilat garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare.
Ndërsa serbët e Kosovës nuk u lejuan të votojnë brenda vendit, madje as ata në veri të Mitrovicës. Siç duket edhe nga pamjet ata janë marrë me autobusë të shumtë për të votuar në qytetin serb të Rashkës pranë kufirit. Qeveria e Kosovës nuk dha leje pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhjeje.
/a.r