Tirana dhe Mykonos do të shkëmbejnë eksperiencat e tyre në fushën e turizmit. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Kryetarin e Bashkisë së Mykonos, Konstantinos Koukas, me të cilin bisedoi për integrimin e bashkatdhetarëve tanë ne vendin fqinj, si dhe për shfrytëzimin e potencialeve ekonomike në të dy qytetet.
Veliaj tha se kjo eksperiencë do të shërbejë edhe për promovimin e turizmit në Tiranë. “Ishte një kënaqësi shumë e veçantë të kishim në Tiranë kryetarin e Bashkisë së Mykonos, si një mundësi per të mësuar me shume për turizmin, trashëgiminë dhe si ruhet natyra. Jam i nderuar që komuniteti shqiptar që jeton në Mykonos është bërë pjesë e stofit të ishullit, të qytetit dhe të asaj industrie të jashtëzakonshme të turizmit dhe të promovimit. Kjo ishte edhe një mundësi per të mësuar nga më të mirët, për të marrë eksperiencë në promovimin e Tiranës”, tha ai.
Kryetari i Bashkisë së Mykonos, Konstantinos Koukas, e cilësoi të shkëlqyer punën e bërë në Tiranë, ndërsa propozoi vendosjen e një linje direkte fluturimi mes dy qyteteve. “Ju bëni një punë të shkëlqyer për qytetin tuaj. Unë bëra një tur të vogël dhe jam i impresionuar më shumë nga ç’e prisja. Jam kryetar bashkie gati për 7 vjet e gjysmë, e di se sa i rëndësishëm është roli i kryetarit në jetën e qytetit. Do të ishte mirë të kishim fluturime direkte nga Tirana në Mykonos. Jam i sigurt se një bashkëpunim më i mirë mes dy qyteteve do të sjellë edhe rezultate më të mira për qytetarët tanë”, tha Koukas.
Teksa vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy qeverive, Veliaj nënvizoi se diplomacia mes qyteteve po merr një vëmendje të shtuar. “Ne kemi marrëdhënie speciale, të jashtëzakonshme midis dy qeverive, qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke. Por, unë besoj se bashkitë janë vendet ku njerëzit komunikojnë. Sigurisht, na duhet diplomacia, por qytetet janë ato që i lidhin njerëzit në terren. I lidhin në përditshmërinë e tyre, në zakonet e tyre dhe në familjet e tyre. Ndaj, të jam shumë mirënjohës për mikpritjen dhe integrimin e komunitetit shqiptar në Mykonos. Mezi pres të mësojmë nga eksperienca juaj”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu gatishmërinë që Tirana të mikpresë disa të rinj nga Mykonos në Shqipëri, si një mundësi për të ndërtuar partneritete të reja. “Këtë vit, Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe do të ishte ideale të mikprisnim disa nga të rinjtë e Mykonos, për të kuptuar se si një sipërmarrje e tyre, shoqatat mes tyre, mund të krijojnë partneritete që do të zgjasin një jetë. Shumë të rinj kreativë me fantazi dhe me shumë zell për të bashkëpunuar, mund të jenë një urë bashkëpunimi mes dy kombeve tona”, nënvizoi Veliaj.
/a.r