EKSKLUZIVE JAVANEWS/ Qeveri teknike brenda muajit shkurt dhe zgjedhje të parakohshme në pranverë. Ky është kushti i vënë nga drejtuesit e lartë të PD-së faktorëve politik në vend dhe përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar, në këmbim të votave për Reformën në Drejtësi. Burishme shumë të besueshme brenda PD-së bëjnë të ditur për Javanews se ky qëndrim politik tashmë u është bërë i qartë faktorëve politik në vend dhe atyre ndërkombëtarë nga përfaqësuesit më të lartë të PD-së në një sërë kontaktesh që ata kanë pasur. Sipas krerëve të kësaj partie qeveria teknike do të kishte dy objektiva: e para të përgatisë zgjedhjet e parakohshme në pranverë dhe e dyta të mundësojë një dakordësim të palëve që të votojnë me konsensus Reformën në Drejtësi në Kuvend.
Këto dy objektiva, sipas krerëve të PD-së, plotësojnë edhe pritshmëritë e shqiptarëve për të shënuar një pikë kthese në qeverisjen e vendit nga ana e mazhorancës aktuale. Ndonëse nuk hyn shumë në detaje krerët e PD-së bëjnë të ditur se një qeveri teknike do të kishte si objektiv edhe një paketë të re fiskale, e cila do të synonte uljen e barrës së taksave ndaj qyetetarëve dhe biznesit. Sa i përket reformës në drejtësi, demokratët shprehen se janë të gatshëm ta votojnë në Kuvend me konsensus dhe në formën me të cilën e mbështet bashkësia ndërkombëtare, por paraprakisht duhet që të krijohet një qeveri teknike dhe më pas kjo reformë të votohet në Kuvend.
Sipas tyre, një qeveri teknike, e ndërtuar me konsensusin e faktorëve politik parlamentarë, do të mundësonte kalimin pa probleme të Reformës në Drejtësi në Kuvend. Krerët e PD-së mësohet se nëse nuk plotësohen këto kushte, atëhere nuk janë të gatshëm që të votojnë në Kuvend Reformën e Drejtësis. Votat e PD-së, sipas tyre, nuk mund të shërbejnë si oksigjen për të mbajtur në pushtet një qeveri të dështuar.
(javanews.al) Me. Ar