Në një dokument prej 73 faqesh drejtuar Komisionit të Venecias, Partia Demokratike ka analizuar 42 objeksione të saj që në thelb konsistojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit me një shumicë që i kalon 3/5 pasi sipas PD mazhoranca i ka aktualisht numrat edhe me këtë shumicë ajo mund të çimentojë kapjen politike të sistemit të drejtësisë.
Opozita nënvizon gjithashtu se “në paragrafin 7 është injoruar rekomandimi i Komisionit të Venecias dhe këmbëngulet në ndërprerjen e mandatit të prokurorit të Përgjithshëm me shpresën se Komisioni i Venecias do të ndryshojë mendim.
“Duam të sjellim në vëmendjen tuaj se shkarkimi apo ndërprerja para kohe e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm ka qenë vazhdimisht një temë e nxehtë e debatit politik gjatë këtyre 25 viteve.
Mirëpo në të shkuarën ky proces është argumentuar me konkluzione të Komisioneve Hetimore Parlamentare për pamjaftueshmëri apo parregullsi në kryerjen e detyrës. Ndërsa sot propozohet ndërprerja e mandatit me ligj kushtetues, me qëllimin e vetëm përfitimin politik”, thuhet në opinionin e PD-së, raporton Respublica.
Kryeprokurori Adriatik Llalla është një emër i zgjedhur konsensualisht në krye të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ndonëse shumë herë ka paralajmëruar arrestime të bujshme, asgjë nuk ka ndodhur.
Ndryshe nga paraardhësja e tij në këtë detyrë ai nuk është sulmuar nga politika dhe është lënë i qetë të bëjë punën e tij, duke lënë në qetësi edhe ata që e zgjodhën me shumicë konsensuale.