Anëtari i Kryesisë së PD-së Fatbardh Kadilli deklaroi në emisionin “Arnautistan” se beson që kriza do të thellohet në selinë blu, pasi ka rezistencë ndaj Berishës.
Kadilli tha se është thyer miti i Berishës në PD, ndërsa lëvizjet e fundit të Bashës i konsideron si përpjekje të dëshpëruara për të ruajtur disa lidhje tribale.
“Nuk besoj që është fundi i krizës, kriza do thellohet prapë. Ishuj rezistence shoh që sot ndaj presionit të Berishës.
Grupi parlamentar është goxha rezistent. Fakti që Berisha nuk e dominoi dot grupin, kjo tregon që është ishull rezistence.
U tentua që mbledhja të moderohej nga të tjerë persona, por mbledhja u prish. Mbështetësit e Berishës nuk kanë autoritetin ta drejtojnë.
Në numra duhet të jenë minorancë. Edhe në territor ka njerëz që janë të shqetësuar për këtë rikthim.
Te Basha s’kishte bashistë, kishte njerëz që rrinin aty për oportunizëm, ose ishin anti-Berishistë, edhe këta janë aty akoma.
Nuk besoj se Basha do t’i organizojë. Basha është një fotokopje e zbehtë e Berishës. Kishte shansin të krijonte një model që e kapërcente Berishën.
Ai nuk e krijoi këtë. Ose nuk ishte i zoti, ose nuk kishte vizion. Gjithmonë e kam nxitur drejt një modeli të ri politik, por me sa duket nuk ka funksionuar”, tha Kadilli.
Duke folur për të ashtuquajturit fanatikë të Berishës, Kadilli tha se nuk i shkon të djathtës të ketë idhuj.
“Nuk i shkon të djathtës. E djathta adhuron Zotin, jo njeriun. Pjesa që e mendon Berishën si zgjidhje politike, vetgënjehet nga dy arsye:
E para, forca, sepse të trimëron Berisha, edhe më i hutuari merr zemër, thotë do t’ia dalim, por nuk ia ka dalë asnjëherë.
Nga referendum i 94-ës Berisha është refuzuar nga shqiptarët. Nuk është e majtë Shqipëria, ka një refuzim ndaj Berishës dhe modelit të tij.
Sot ka një tirani shumice, të një mazhorancë të zhurmshme, dhe adhurim të liderit. Është thyer miti i Berishës.
Sfida që i kam bërë unë, Alibeaj, është një shembull për të tjerët. PD sot ka hyrë në një ngërç se çfarë raportesh do kemi me liderët humbës.
Edhe dorëheqja e Bashës nuk është dorëheqje. Mos dil bëj tur nëpër Shqipëri edhe nuk di çfarë u thua atje.
Nuk ka një projekt, thjesht do të mbaj disa lidhje të natyrës tribale. Basha na gënjeu të gjithëve me pamjen, formimin, sjelljen, shumë i përkorë.
Në të gjitha fjalimet e Bashës është si të gjuash një gurë në akull. PD-ja po vret veten. Opozita po zhbën vetveten sepse harron gjënë elementare, duhet të ndryshosh. Kërkon një nuse për herë të parë, të dytë, të tretë, nuk ta japin”, tha Kadilli.
Kadilli tha se PD s’mund ta konsiderojë veten aset kombëtar, për sa kohë ka pasur akuza për korrupsion ndaj Berishës dhe për gjobvënie ndaj Bashës.
“PD e quan veten aset kombëtar! Ça aseti kombëtar je?! Ne na akuzojnë, pjesën e Berishës për korrupsion dhe Bashën për gjobvënie!
S’po them a janë të vërteta por akuzat janë atje. Kur ia hodhëm njëri-tjetrit i bëmë të besueshme për këdo.
Ajo është fotografia që do t’u lëmë shqiptarëve për një kohë të gjatë. Rama e ka të thjeshtë, do bëheni me ata me vare apo me ata me blind.
Berisha e përdor shpesh fjalën ndryshim, ndryshim, ka pasur aq shumë shanse të jetë në sy të shqiptarëve, saqë asgjë tjetër s’ka ngelur pa u gjykuar nga shqiptarët.
I gjithë ekipi që ka rreth vetes noton në votat e Berishës. Asnjë nuk sjell vota më tepër sepse zëruan identitetin e Berishës”, shprehet ai.
Fatbardh Kadilli deklaroi se do të vijë momenti në PD që idhujtarët do ta braktisin edhe liderin historik, Sali Berishën.
g.kosovari